Vajza e Xhemajl Mustafës: Ata që e dhanë urdhrin për vrasjen e babit tim sot e gëzojnë pushtetin

Aktuale

Vajza e Xhemajl Mustafës: Ata që e dhanë urdhrin për vrasjen e babit tim sot e gëzojnë pushtetin

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 19:41
Beriana Mustafa

Vajza e Xhemajl Mustafës, Beriana Mustafa, ka folur rreth vrasjes së babait të saj Xhemajl Mustafës. Ajo ka thënë se oponentët politikë të babait të saj dhe ata që kanë qenë të interesuar ta marrin pushtetin, janë urdhërdhënësit për vrasjen e Xhemajl Mustafës. Beriana Mustafa ka folur edhe rreth emrit të depuetit Rexhep Selimi si emër i mundshëm për dhënien e urdhrit të vrasjes, megjithatë thotë se për këtë duhet të veprojë Prokuroria.

Beriana në Frontal, ka thënë se pret që Gjykata Speciale të zbulojë urdhërdhënësin e vrasjes.

“Gjykata Speciale nuk e ka kontaktuar direkt familjen time. Ka informacione se janë kontaktuar. Gjykata Speciale nuk do ta zbulojë atë që ka dhënë urdhër për vrasjen e tij, nëse ajo Gjykatë nuk do ta vendosë pikën në këtë rast, kjo çështje për mua mbetet e mbyllur”, ka thënë ajo.

Teksa ka folur se kush mund të qëndrojë parapa vrasjes, ajo ka thënë se ata janë njerëz të politikës.

“Janë njerëz të politikës, të cilët e gëzojnë pushtetin, pavarësisht subjekteve politike. Është bërë vrasje sistematike e njerëzve të LDK-së, me urdhër të politikës. Krejt qëllimi ka qenë për vrasjen e tyre, për ta marrë pushtetin", ka vazhduar ajo.

Sa i përket angazhimit të LDK-së, për zbulimin e vrasjes së Xhemajl Mustafës, ajo thotë se kjo parti ka mundur të bëjë më shumë për zbardhjen e këtij rasti.

“Natyrisht që LDK-ja ka mundur të bëjë diçka sidomos kur e ka pasur Ministrinë e Drejtësisë. Pse nuk ka bërë këtë nuk e di. Megjithatë gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga politika. Në fund të ditës, prokuroria dhe drejtësia nuk trokasin në dyert e atyre që flasin rreth asaj se kush e ka vrarë, dhe në fund të ditës për ne rezultati është zero”, thotë Beriana, vajza e Xhemajl Mustafës.

Ajo ka hedhur kritika të shumta drejt sistemit të drejtësisë në Kosovë, për mos zbulimin e vrasjeve politike.

“Për 18 vjet me luajt me ndjenjat e familjeve nuk është diçka e lehtë, dhe nuk është diçka që i ka hije edhe një sistemi gjyqësor. Por ky sistem është i kapur nga politika dhe nuk ka shpresë që të çkapet”, ka potencuar ajo.

E pyetur nëse ajo personalisht ka kontaktuar njerëzit të cilët kanë folur rreth emrave të mundshëm që mund të qëndrojnë prapa vrasjes së Xhemajl Mustafës, Beriana ka thënë se kjo nuk është punë e saj.

“Nëse unë filloj me i kontaktu njerëzit të cilët flasin për vrasjen e babit tim, atëherë kthehemi tek Kanuni. Nuk është detyra ime kjo, ne vazhdojmë të besojmë në organet e drejtësisë”, thotë ajo.

Ajo ka treguar edhe për deklarimet e para shumë vitesh që janë bërë se drejtësia është shumë afër gjetjes së vrasësit të Xhemajl Mustafës, megjithatë edhe pas këtyre viteve nuk është bërë asgjë.

“Prokuroria e Kosovës për fat të keq kurrë nuk e ka gjetur kohën dhe mundësinë jashtë deklaratave. Nëse Aleksandër Lumezi para gjashtë vitesh kishte thënë se janë shumë afër zbulimit të vrasësit dhe pas gjashtë vitesh nuk kemi asgjë, atëherë këtu është anarki dhe organeve të drejtësisë duhet t’u vendoset çelësi”, shton ajo.

Ajo ka fajësuar edhe UNMIK-un dhe EULEX-in, për moszbulimin e një seri vrasjesh politike që janë kryer në Kosovë.

“As organet ndërkombëtare të drejtësisë nuk munden me u shfajësua. Mos me arritë me i zbulu një seri vrasjesh në një Kosovë kaq të vogël, është absurd i llojit të vet  dhe diçka që nuk ndodh as në Eritre të Afrikës”, ka vazhduar Beriana Mustafa.

Për këtë vrasje ajo ka thënë se duhet të flasin që nga presidenti Thaçi, njerëzit e LDK-së dhe gjithashtu edhe ata që kanë qenë në UÇK.

“Unë nuk e di, mundem me pas hipoteza dhe aludime. Ato munden me mbet në nivel personal. Është një domen i gjerë i njerëzve në pushtet të cilët e dinë se kush e ka dhënë urdhrin e vrasjes. Prej presidentit, kryeministrit, LDK-së, UÇK-së, duhet të dalin të flasin për ato vrasje” është shprehur ajo.

Për vrasësit ajo thotë se kanë qenë kundërshtarë politikë të Xhemajl Mustafës. Sipas saj mjafton vetëm të dëgjohet afera ‘Pronto’ dhe të dihet se kush janë.

“E di që kanë qenë oponentë politikë të babës tim deri në fund. Nëse SHIK-u nuk është, mund të jetë edhe dikush tjetër. Mjafton me e dëgju aferën ‘Pronto’ dhe e di kush janë. Me njerëz të cilët e kanë kapur shtetin dhe e kanë fuqinë e pushtetit dhe i vendosin. Ata që kanë qenë të interesuar me e marrë pushtetin, askush tjetër. Ata i kanë dhanë urdhrat për vrasje”, ka thënë ndër të tjera.

Beriana ka folur edhe rreth emrit të Rexhep Selimit si autor për këtë vrasje. Ajo thotë se pas transmetimit të një dokumentari ku thuhej se prapa urdhrit së  kësaj vrasjeje qëndron një deptuet, Rexhep Selimi për ditë të tëra është munduar të arsyetohet dhe shfajësohet.

“Kjo gjë më ka bërë të mendoj se ai qëndron prapa urdhrit për vrasje. A qëndron Rexhep Selimi prapa urdhrit për këtë vrasje, duhet që prokuroria të veprojë për këtë”, ka përfunduar ajo.

Sot edhe KMLDNJ ka kërkuar nga Drejtësia zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat