Veseli: Nuk duhet lejuar të kemi deficitin më të lartë tregtar në Evropë

Aktuale

Veseli: Nuk duhet lejuar të kemi deficitin më të lartë tregtar në Evropë

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 15:06
Ilustrim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar nga komuniteti i biznesit që të rrisë prodhimin për të mos qenë Kosova më e para me bilanc negativ tregtar në Evropë.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve, ku është diskutuar për sfidat në të bërit biznes dhe reformat e mëtejme që duhet të bëhen.

Veseli: Kosova me bilancin tregtar më negativ në Evropë

“Për prodhim, ne kemi një deficit, kemi një bilanc i cili është negativ, ne duhet ta pranojmë këtë fakt. Andaj, ne duhet të ulemi bashkërisht të diskutojmë, pse ka nevojë Kosova jonë me qenë një shoqëri konsumuese? A e kemi ne këtë luks kaq të madh, ku jemi vendi me bilancin tregtar më negativ në Evropë. A mund të kemi ne zëvendësim të importeve me prodhime në vendin tonë? Kjo është ajo të cilën ju duhet të kërkoni nga ne, në mënyrë që të lehtësojmë edhe më shumë barrierat”, tha Veseli.

Ai paralajmëroi se së shpejti do të ndërmerren hapa të tjerë që kanë të bëjnë me lehtësime tatimore e burokratike për teknologjinë e informacionit, fermerët, shërbimet dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm për ekonominë kosovare.

Ndërkaq, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se institucionet të shtetit janë të përqendruara për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe se bizneset  nuk do të kenë ngarkesa të reja fiskale, por vetëm lirime në këtë aspekt.

Ai pranoi se Kosova ka një papunësi të lartë, mirëpo tha se mund të krenohen edhe me reformat e reja fiskale.

Hamza: E dimi problemin me papunësinë, por kemi edhe me çka me u lavdëruar

 

I dimë problemet edhe me papunësinë, edhe me deficitin e lartë tregtar, por duhet me i vlerësuar edhe të arriturat fiskale. Kemi borxhin publik më i vogël në rajon. Kemi ngarkesat tatimore më të ulëtat në regjion. Pres që në raportin e Bankës Botërore që do të publikohet në fund të këtij muaj, me pasur edhe avancime në rangim”, tha Hamza. 

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj duke paralajmëruar një konferencë ndërkombëtare ditët e ardhshme në Prishtinë, tha se teknologjia informative është i vetmi sektor me bilanc pozitiv tregtar.

Beqaj: Teknologjia informative, sektori i vetëm me bilanc tregtar pozitiv

“Ne kemi sot sektorin e teknologjisë informative, sektorin e vetëm i cili ka bilanc tregtar pozitiv. Kjo është falë angazhimit të qeverisë dhe ministrit të Financave, i cili ka mundësuar të veproj shpejt sa i përket taksave. Të rinjtë dhe të rejat tona janë duke eksportuar shërbime jashtë vendit”, tha ministri Beqaj.

Ndërsa, përfaqësues të bizneseve vunë në pah se ngritja e pagave në sektorin publik ka bërë ky sektor të jetë më i kërkuar nga të rinjtë për punësim sesa ai privat. Për këtë u tha se sektori privat po ballafaqohet me mungesë të punëtorëve profesional dhe me disa barriera të ndryshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat