Haradinaj i përgjigjet NATO-s për transformimin e FSK-së

Aktuale

Haradinaj i përgjigjet NATO-s për transformimin e FSK-së

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 11:55
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha

(E plotësuar) - Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë sot para deputetëve të Kuvendit se krijimi i ushtrisë së Kosovës dhe mandatimi i saj javën që vjen, është proces i brendshëm dhe në përputhje me Kushtetutën, në atë mënyrë që nuk rrezikon marrëdhëniet me NATO-n.

Ai ka deklaruar se është Beogradi zyrtar që është aktivizuar për destabilizimin e Kosovës.

Kreu i ekzekutivit është shprehur i bindur se taksa prej 100 për qind nuk mund të hiqet, por nuk përjashtohet mundësia që do të inskenohen raste nga Serbia, për ta paraqitur Kosovën si vend që shkel të drejtat humanitare.

Haradinaj: Në përputhje me Kushtetutën, ushtria kalon më 14 dhjetor

“Taksa nuk do të hiqet deri në marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ku janë kapitujt tjerë ku është edhe kjo. Po, ushtria kalon me të 14-in, dhe kalon në mënyrë të dinjitetshme. Është proces i brendshëm. Është vendim sovran i vendit dhe është në përputhje me Kushtetutën tonë, një Kushtetutë ndër më të avancuara në botë, për të drejtat e komuniteteve, për respektimin e konventave tjera ndërkombëtare, që përmban në vete vlerat më të avancuara të një demokracie”, tha Haradinaj.

Ai ka siguruar se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës nuk rrezikon në asnjë mënyrë marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n. Teksa pohoi se është e vërtetë që nuk kanë arritur që të bisedojnë me secilën qeveri aleate të NATO-së, por theksoi se kanë zhvilluar takime intensive me shtetet që kanë vendimmarrje të plotë në aleancë.

Madje sipas tij, Kosova nga një shtet konsumues i sigurisë do të jetë edhe prodhues i sigurisë duke kontribuar në aleancë.

Haradinaj: Asnjëherë nuk do t’i rrezikojmë marrëdhëniet me NATO-n

“Për formimin e ushtrisë të Kosovës, ne kemi zhvilluar biseda intensive me të gjitha palët e interesuara. Kosova është e sigurt që asnjëherë nuk do t’i sjellë në rrezik marrëdhëniet me aleancën e NATO-s”, tha ai.

I pari i Qeverisë nuk ka lënë pa përmendur edhe deklaratat e Serbisë se FSK po përgatitet për veri, duke thënë se kjo nuk është e vërtetë. Ai shtoi se do të shkojë në çdo vend të Kosovës, për t’iu treguar serbëve se asnjëherë nuk kanë se për çka të frikësohen pasi Serbia vetëm po i përdorë ata për viktimizim.

Për më tepër, kreu i Qeverisë theksoi se Kosova e ka të ndaluar me ligj pjesëmarrjen e qytetarëve në lufta të huaja, ndërsa në listën e pagave të Serbisë ka plot që paguhen për pjesëmarrje në anën e Rusisë, në konfliktet në Ukrainë dhe Siri.

Haradinaj: Serbia paguan mercenarët e vet në Ukrainë dhe Siri

“Sot, në listën e pagesave të Serbisë, qoftë si veteranë, qoftë si zyrtarë të pensionuar, janë plot që janë në Ukrainë dhe në Siri, në anën e rusëve. Le ta dinë, edhe Serbia, edhe BE-ja dhe NATO, e vërteta është kjo: nuk i kanë heq prej listës së pagesave. Krejt këta mercenarë që rrezikojnë sigurinë e Evropës dhe atje, janë në listat e pagesave. Duke qenë kështu, ne do të ecim rrugës tonë me vendimin për ushtrinë. Nuk është një militarizim, është një narrativ i qëllimshëm nga ana e Serbisë. Nuk i dedikohet krijimi i ushtrisë, sulmi në veri, është rrenë e tyre, qysh dinë t’i bëjnë. Bëjnë gabim që frikësojnë popullin serb. Ne do të ndërmarrim veprime sqaruese për Serbët e Kosovës”, u shpreh Haradinaj.

Ai shtoi se askush në Kosovë nuk ka interes për jo-stabilitet dhe të vetmit që i intereson ndonjë skenar për destabilizim është Beogradi zyrtar.

Për më tepër, kreu i Qeverisë theksoi se Serbia po punon intensivisht me diplomatët, mediat dhe lobuesit e vet, ta paraqesë Kosovën si një vend të pa sigurt, por këtu nuk ka asnjë të vërtetë.

Haradinaj: Beogradi zyrtar i interesuar për destabilizim

“Kurrkush prej atyre që jetojnë në Kosovë nuk ka interes për jo stabilitet, as shqiptarët si shumicë, as serbët, as ata të veriut, as ata në jug. Në fakt, ne e vuajmë mungesën e sigurisë dhe të gjithë punojmë për më shumë paqe, edhe NATO edhe populli i Kosovës. Të vetmëve që ju intereson ndonjë skenar për të mund me e nxjerrë Kosovën të çrregulluar nga normaliteti është Beogradi zyrtar. Ata po bëjnë projekte të vazhdueshme për të ardhur deri te një skenar i tillë. Populli i Kosovës, është mirë të kuptojmë që ne si Kosovë kemi interes për stabilitet, për vazhdimësi. Na kanë humbur disa hapa, i përmendëm ata dhe me të vërtetë janë mungesa mos anëtarësimi në Interpol, mos liberalizimi i vizave. Por ne nuk kemi interes mos me pas vazhdimësi në qëllimet tona”, tha ai.

Kreu i ekzekutivit ftoi të gjithë deputetët të bashkohen pasi Kosova është e interesuar për stabilitet dhe vazhdimësi në qëllimet e saja.

***

Kryeministri Ramush Haradinaj, i është përgjigjur paralajmërimeve të NATO-s për pasoja, në rast se ndodhë transformimi i FSK-së.

Haradinaj tha sot në Kuvend Ushtria do të kalojë  me 14 dhjetor në mënyrë të dinjitetshme.

“Krijimi i Ushtrisë të Kosovës, mandatimi javën që vjen me 14, është proces i brendshëm, vendim sovran i vendit, është në përputhje me kushtetutën tonë, e cila është një ndër më të avancuarat në botë. Aleanca e NATO-s ka peshë të madhe në vendimet e veta për Kosovën, mirëpo, Kosova është e sigurt që asnjëherë nuk do të rrezikojë marrëdhëniet me NATO-n. Kemi plotësuar kushtet bazike për të quar para me ushtrinë tonë”, tha Haradinaj.

Ndër të tjera, Haradinaj shtoi se ushtria e Kosovës do të ofrojë siguri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat