SHBA, mbyllja e pjesshme e qeverisë sjell konfrontime politike - Bota Sot
SHBA, mbyllja e pjesshme e qeverisë sjell konfrontime politike

Amerika

SHBA, mbyllja e pjesshme e qeverisë sjell konfrontime politike

Më: 19 janar 2019 Në ora: 07:16
Adam Schiff, Donald Trump dhe Nancy Pelosi

Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane ka hyrë në ditën e 28 dhe është e paqartë nëse po shkon drejt fundit. Ajo që shihet qartë është se situata e bllokuar po karakterizohet nga konfrontime politike. E tillë ishte manovra e re e Presidentit Trump për të detyruar Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi të anulonte një udhëtim jashtë vendit.

Kryetarja e Dhomës, Pelosi duhej të nisej dje për një udhëtim të planifikuar Afganistan dhe Bruksel, por ajo dhe disa anëtarë të Kongresit u detyruan të kthehen në kryeqytet, pas marrjes së një letre të Presidentit Trump, i cili ua shtynte udhëtimin për shkak të mbylljes së qeverisë. Zoti Trump e quante udhëtimin diçka që i shërbente “marrëdhënieve me publikun".

"Duke qenë se ajo është Kryetare e Dhomës dhe meqenëse vendi është me qeveri të mbyllur, nuk mendoj se udhëtimi është i përshtatshëm,” thotë republikani McCarthy.

Kongresmeni demokrat Adam Schiff e qortoi zotin Trump që, sipas tij, dëmtoi sigurinë e delegacionit:

"Mendoj se vendimi i presidentit për të dhënë njoftim rreth një udhëtimi që kryetarja e Dhomës bën në një zonë lufte ishte krejtësisht i papërgjegjshëm.”

Vetë Presidenti Trump udhëtoi për në rajon muajin e kaluar në kushtet e sekretit të plotë për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Zonja Pelosi, si Kryetare e Dhomës vjen e treta në rangun udhëheqës të vendit, pas Zëvendës Presidentit.

Shkëmbimi i mesazheve të hidhura midis Shtëpisë së Bardhë dhe kryetares së Dhomës tregojnë se mbyllja e pjesshme e qeverisë federale, e cila po hyn në javën e pestë, nuk po sheh shenja pozitive në horizont.

Mbyllja u shkaktua nga një konfrontim midis demokratëve dhe republikanëve rreth financimit të një muri përgjatë kufirit me Meksikën.

Presidenti Trump ka kërkuar më shumë se 5 miliardë dollarë para të taksapaguesve për financimin e murit, ndërsa demokratët kanë ofruar 1.3 miliardë për sigurinë e kufirit, por jo për ndërtimin e një muri./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...