Sanksione dhe ndalim hyrjeje në SHBA për zyrtarët venezuelianë

Amerika

Sanksione dhe ndalim hyrjeje në SHBA për zyrtarët venezuelianë

Më: 2 mars 2019 Në ora: 16:55
Sanksionet u vendosën ndaj Komandantit të Gardës Kombëtare, Richard Lopez

Shtetet e Bashkuara e rritën trysninë ndaj Venezuelës duke vendosur sanksione ndaj gjashtë zyrtarëve të lartë të sigurisë. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara anulluan vizat për dhjetëra zyrtarë të lartë venezuelianë.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Venezuelën, Elliott Abrams, informoi gazetarët gjatë një konference për shtyp në Departamentin e Shtetit.

“Departamenti i Thesarit njoftoi sot sanksione të mëtejshme. Shtetet e Bashkuara morën masa edhe ndaj gjashtë zyrtarëve të sigurisë të regjimit të paligjshëm të Maduros; individë të përfshirë në ndaljen e hyrjes së ndihmave humanitare në Venezuelë, apo në dhunën e ushtruar ndaj njerëzve që u përpoqën të mundësonin shpërndarjen e ndihmave”, tha zoti Abrams.

Sanksionet u vendosën ndaj Komandantit të Gardës Kombëtare, Richard Lopez, si dhe zyrtarëve të policisë dhe ushtrisë në zonat kufitare me Kolumbinë dhe Brazilin.

Sanksionet bllokojnë asetet që këta zyrtarë mund të kenë në Shtetet e Bashkuara, si dhe u ndalon amerikanëve të bëjnë biznes me ta.

Departamenti amerikan i Shtetit gjithashtu anulloi vizat për 49 shtetas venezuelianë.

“Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime të reja vizash për individët përgjegjës për dëmtimin e demokracisë venezueliane. Po e zbatojmë këtë politikë për zyrtarë të shumtë të regjimit Maduro dhe familjarëve të tyre. Mbështetësit e Maduros që abuzojnë dhe shkelin të drejtat e njeriut, që vjedhin prej popullit venezuelian, ose që dëmtojnë demokracinë e Venezuelës, nuk janë të mirëpritur në Shtetet e Bashkuara. Nuk janë të mirëpritur as familjarët e tyre, të cilët shijojnë një stil jetese të privilegjuar, në kurriz të lirisë dhe begatisë së miliona venezuelianëve”, tha zoti Abrams.

Masat janë pjesë e përpjekjes për dorëheqjen e Maduros. Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë të paligjshme rizgjedhjen e tij vitin e kaluar dhe kanë njohur udhëheqësin opozitar Juan Guaido si president të përkohshëm./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat