E ardhmja e 'emergjencës kombëtare' në pikëpyetje - Bota Sot
E ardhmja e 'emergjencës kombëtare' në pikëpyetje

Amerika

E ardhmja e 'emergjencës kombëtare' në pikëpyetje

Më: 14 mars 2019 Në ora: 18:55
US Capitol

Senati amerikan pritet të miratojë të enjten një propozim që kundërshton shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare lidhur me kufirin jugor të vendit nga Presidenti Donald Trump, duke sfiduar kërcënimin e tij se do të vendosë veton ndaj kësaj mase.

Pesë senatorë republikanë kanë thënë se do ta mbështesin masën e miratuar në muajin shkurt nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët.

Për ta miratuar masën në Senat duhen votat e të paktën katër republikanëve, së bashku me votat e 45 demokratëve dhe dy të pavarurve.

Por masa nuk ka të ngjarë të kthehet në ligj në kushtet kur nevojiten dy të tretat e votave të Kongresit për të rrëzuar një veto presidenciale, të cilën zoti Trump premtoi ta vendosë nëse masa do të miratohet të enjten.

"Jam i përgatitur për të vënë veton, nëse do të jetë e nevojshme," shkruante zoti Trump të enjten herët në mëngjes në një postim në Twitter.

Këtë javë nënpresidenti Mike Pence u takua me senatorët republikanë në përpjekje për të reduktuar mbështetjen ndaj masës që kundërshton gjendjen e emergjencës. Disa republikanë janë shprehur të shqetësuar se presidentët e ardhshëm demokratë mund të uzurpojnë fuqinë e Kongresit për të financuar qeverinë dhe të përdorin shpalljen e gjendjes së emergjencës për të financuar programet e tyre.

Mosmarrëveshjet politike lidhen me miliarda dollarë fonde për një mur përgjatë kufirit amerikan me Meksikën kërkuar nga zoti Trump, por që Kongresi ka refuzuar tia sigurojë plotësisht. Ngërçi çoi në një mbyllje të pjesshme të agjencive qeveritare për 35 ditë, që përfundoi në janar. Bazuar në shpalljen e gjendjes së emergjencës, që Presidenti Trump nënshkroi më 15 shkurt, ai kërkon të marrë para nga programe të tjera federale për të ndërtuar murin, që siç thotë është i nevojshëm për të frenuar imigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës.

Demokratët mohojnë të ketë një emergjencë në kufi, duke thënë se kalimi i paligjshëm i kufirit ndodhet në nivelet më të ulta prej katër dekadash. Lidhur me këtë çështje janë ngritur padi ligjore që mbështesin argumentimin se është Kongresi dhe jo presidenti, ai që vendos se si shpenzohen paratë e taksapaguesve amerikanë./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...