SHBA: Ç’ndodh me fëmijët e imigrantëve kur deportohen prindërit?

Amerika

SHBA: Ç’ndodh me fëmijët e imigrantëve kur deportohen prindërit?

Më: 16 mars 2019 Në ora: 20:53
Në shfaqje, Sofia feston 10 vjetorin e lindjes

Më shumë se 400 mijë imigrantë në Shtetet e Bashkuara mund të përballen me deportimin deri nga fundi i këtij viti. Kjo vjen pasi administrata amerikane njoftoi se do t’i japë fund Programit për Mbrojtjen e Statusit të Përkohshëm, ku përfshihen njerëz nga gjashtë vende të botës. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, June Soh, situata paraqet probleme të veçanta për fëmijët e lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër nën programin që njihet shkurtimisht si TPS. Në materialin në vazhdim, disa fëmijë të cilët rrezikohet t’u deportohen prindërit, kanë organizuar një shfaqje ku shprehin shqetësim për mundësinë e ndarjes së familjeve.

Në shfaqje, Sofia feston 10 vjetorin e lindjes. Aktorët janë fëmijë nga El Salvadori nga mosha 10 deri 17 vjeç. Ata janë përfitues të Programit për Mbrojtjen e Statusit të Përkohëshëm, TPS. Drama që ata interpretojnë reflekton sfidat me të cilat mund të përballen së shpejti.

"Programi TPS po shkon drejt mbylljes. Imigrantët nga Salvadori duhet të largohen deri në shtator 2019, në se nuk gjejnë tjetër mënyrë për të siguruar dokument ligjor qëndrimi. Nga kjo masë preken 200 mijë vetë, salvadorianët të cilët u larguan nga vendi pas shkatërrimeve të tërmetit të vitit 2001.”

Fëmijët tregojnë histori nga jeta e tyre reale.

"Unë jam Jacqueline. Jam 17 vjeçe, më e madhja e 4 fëmijëve. Dua të vazhdoj shkollën e lartë, të shkoj në kolegj. Por në se familja ime është e përkohëshme, unë duhet t’u jap fund ëndërrave të mija. Do më duhet të gjej një punë me orar të plotë dhe të bëhem nënë për tre motrat e mija.”

13 fëmijë nga familjet përfituese të programit TPS bashkëpunuan me Teatrin Eksperimental të Bostonit për të krijuar shfaqjen “The Last Dream”, Ëndërra e Fundit.

“Fëmijët kanë lindur këtu dhe mund të qëndrojnë, por jo prindërit. Synimi i shfaqjes është të shtojë ndërgjegjësimin që një numër më i madh njerëzish të kenë dijeni për këtë tragjedi që po përjetojnë këta fëmijë”, thotë Vahdat Yeganeh me Teatrin Eksperimental të Bostonit.

Shfaqja në Bethesda të shtetit Meriland ishte pjesë e një serie veprimtarish, ku mijëra përfitues të programit TPS erdhën në kryeqytetin amerikan për të biseduar me ligjvënësit dhe për të kërkuar një zgjidhje që do t’u ofronte atyre një mundësi për qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.

“ E kuptuam se për shkak të vështirësive që kanë përfituesit e programit TPS në vendet e tyre si Honduras, El Salvador apo vendet e tjera, ata nuk do të marrin me vete fëmijët dhe të dashurit e tyre, nëse detyrohen të kthehen atje. Shtete ku ata fëmijë nuk kanë qenë kurrë”, thotë Vahdat Yeganeh në Teatrin Eksperimental të Bostonit.

15 vjeçari Milton Hernandez luan në shfaqje bashkë me vëllanë e vogël.

“Nuk kam moshën e duhur që të qendroj pa familjen. Nëse mbetem pas do të duhet të më birësojë dikush, ose të mbetem në jetimore. Nuk është diçka për t’u dëshiruar.”

“Do të ndaj me të gjithë këtë ngjarje nga shfaqja, që njerëzit ta dinë se çfarë po ngjet me jetën e këtyre fëmijëve... Ishte shumë emocionale”, thotë Beth Brooks-Mwano nga audienca.

Sofia Landaverde është motra 10 vjeçare e Jacquelines që feston ditëlindjen në shfaqje.

“ U trishtova kur mësova se unë dhe motra do të jemi të vetme, pa prindërit tanë, pa mbështetjen e tyre. Çdo fëmijë meriton të jetojë me prindërit. Kam frikë se ndoshta nuk do të jemi në gjendje t’i shohim ata përsri për një kohë shumë të gjatë.”

Në fund të shfaqjes, Sofia është e vetme në skenë. Ajo ka frikë se nuk do t’i ketë të pranishëm prindërit në ditëlindjen e saj. "A mund të më ndihmojë dikush? Ju lutem, më ndihmoni”, lutet ajo me lot në sy./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat