Presidenti Trump përpiqet të diskreditojë raportin e prokurorit Mueller - Bota Sot
Presidenti Trump përpiqet të diskreditojë raportin e prokurorit Mueller

Amerika

Presidenti Trump përpiqet të diskreditojë raportin e prokurorit Mueller

Më: 22 mars 2019 Në ora: 17:11
Presidenti Trump, prokurori Mueller

Presidenti Donald Trump po shton përpjekjet për të diskredituar një raport të shumëpritur të prokurorit të posaçëm për hetimin mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

Në një intervistë me televizionin Fox Business Network Presidenti Trump tha: “Fakti që një zyrtar i administratës sime emëron dikë për të hartuar një raport rreth meje, për të vendosur mbi presidencën time, njerëzit nuk mund të jenë dakord me këtë.”

Komentet e Presidentit bëhen ndërkohë që prokurori i posaçëm Robert Mueller pritet që së shpejti të dorëzojë në Departamentin e Drejtësisë një raport për hetimin e tij mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Në intervistë, Presidenti Trump u ankua për emërimin e zotit Mueller, duke e quajtur atë "mikun më të ngushtë” të ish shefit të FBI-së James Comey, i cili më pas u shkarkua nga Presidenti.

Zoti Comey u shkarkua ndërkohë që po drejtonte hetimin rreth një bashkëpunimi të fshehtë të mundshëm midis fushatës Trump dhe Rusisë. Nuk ekziston ndonjë provë nëse zoti Comey dhe prokurori Mueller janë miq të ngushtë.

Rregulloret e Departamentit të Drejtësisë përcaktojnë thjesht që zoti Mueller t'i dorëzojë kreut të Departamentit të Drejtësisë një raport konfidencial që shpjegon se çfarë vendimesh mund të merren dhe nëse duhen ndërmarrë ndjekje penale ndaj dikujt.

Zoti Mueller nuk ka lënë të kuptohet se kur mund ta dorëzojë raportin dhe çfarë përmban ai, por muajt e fundit ka patur shenja se raporti mund të jetë gati së shpejti.

Kreu i Departamentit të Drejtësië, William Barr thotë se ai parashikon dy raporte, një për ligjvënësit dhe për konsum publik dhe një të dytë për krerët e Kongresit./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...