Rastet e fruthit në SHBA shënojnë rekord 25-vjeçar

Amerika

Rastet e fruthit në SHBA shënojnë rekord 25-vjeçar

Më: 27 prill 2019 Në ora: 17:39
Foto ilustrim

Numri i rasteve të fruthit në Shtetet e Bashkuara ka arritur në nivelin më të lartë në 25 vjetët e fundit. Ekspertët shëndetësorë po thonë se përhapja e informatave të gabuara po ndikon që prindërit të kenë qëndrim negativ ndaj vaksinave dhe të mos i vaksinojnë fëmijët e tyre.

Qendra për Kontrollim dhe Parandalim të Sëmundjeve njoftoi se deri tash në vitin 2019 janë regjistruar 695 raste të fruthit. Kjo shifër paraqet situatën më të rëndë në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1994, kur ishin paraqitur 693 raste.

Ky virus mund të shkaktojë ndërlikime vdekjeprurëse për njerëzit e infektuar, por në SHBA ende nuk është raportuar për ndonjë vdekje nga kjo sëmundje.

Njoftimi për rekordin negativ erdhi pas vlerësimeve se në Britani të Madhe rreth gjysmë milioni fëmijë janë në rrezik nga infektimi me këtë virus për shkak se nuk i kanë marrë vaksinat e imunizimit në tetë vjetët e kaluar.

Sipas analizave të UNICEF-it, gjithnjë e më shumë fëmijë në mbarë botën nuk po vaksinohen për t’u mbrojtur nga fruthi. Rreth 21 milionë fëmijë rrezikohen çdo vit nga ky virus që nga viti 2010.

Fruthi është virus shumë ngjitës dhe mund të përhapet edhe përmes ajrit, më saktësisht përmes kollitjes dhe teshtitjes.

Zyrtarët e Shëndetit Publik në Shtetet e Bashkuara besojnë se shtimi i rasteve është ndihmuar nga përhapja e informatave të gabuara për vaksinat që përdoren kundër fruthit duke bërë që shumë prindër të besojnë se ato e shkaktojnë autizmin e fëmijëve, shkruan “Independent”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat