SHBA padit Snowdenin për shkak të përmbajtjes së librit të tij - Bota Sot
SHBA padit Snowdenin për shkak të përmbajtjes së librit të tij

Amerika

SHBA padit Snowdenin për shkak të përmbajtjes së librit të tij

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 14:17
Ish-kontraktori i Agjencisë për Siguri Kombëtare në SHBA, Edward Snowden.

Departamenti amerikan i Drejtësisë do të padisë ish-kontraktorin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Edward Snowden duke pretenduar se libri i tij autobiografik përbën shkelje me marrëveshjet për moszbulim që ka nënshkruar me qeverinë amerikane.

Qeveria amerikane është duke tentuar t’i marrë atij të gjitha të ardhurat nga libri i Snowdenit, “Permanent Record,” pasi padia nuk synon të kufizojë shpërndarjen e librit.

Në padi përmendet edhe kompania botuese, Macmillan, e cila ka bazën në Nju Jork.

Në padi përmendet se Snowden është dashur të sigurojë leje para publikimit të librit nga Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Agjencia Qendrore e Inteligjencës.

Sipas politikës së Agjencisë për Siguri Kombëtare, ish-punëtorëve dhe atyre që kanë marrëdhënie pune, u ndalohet të bëjnë publik ndonjë informacion në të cilin kanë pasur qasje gjatë punës në qeveri.

Avokati i Snowdenit, Ben Wizner, ka thënë se libri nuk përmban informacion qeveritar, i cili nuk ka qenë publik.

Snowden është akuzuar për spiunim, për shkak të publikimit të 1.5 milion dokumenteve sekrete, duke nxitur debat publik rreth ligjshmërisë së disa programeve të agjencive qeveritare sa i përket privatësisë.

Në rast se dënohet, Snowden mund të përballet me 30 vjet burgim. Ai është aktualisht në Rusi, ku ka lejeqëndrim deri më 2020.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...