Trump, thirrje Ukrainës dhe Kinës të hetojnë z. Biden

Amerika

Trump, thirrje Ukrainës dhe Kinës të hetojnë z. Biden

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 06:15
Donald Trump

Presidenti Donald Trump i bëri thirrje të enjten një vendi tjetër, Kinës, të hetojë rreth ish-nënpresidentit Joe Biden. Thirrja vjen në klimën e polemikave që lidhen me hetimin e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve rreth marrëdhënieve të Presidentit me Ukrainën, me qëllim ngritjen e akuzave për shkarkimin e tij.

“Kina duhet të fillojë një hetim rreth Joe Bidenit dhe djalit të tij”, tha Presidenti Trump gjatë komenteve për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Ai tha se nuk i kishte kërkuar drejtpërdrejt presidentit kinez Xi Jinping to hetonte për zotin Biden dhe djalin e tij Hunter, por shtoi se “kjo është diçka për të cilën mund të fillojmë të mendojmë.”

Presidenti Trump dhe avokati i tij personal Rudy Giuliani janë përpjekur të ngrejnë dyshime për marrëdhëniet e biznesit të zotit Hunter Biden në Kinë, duke u mbështetur në disa artikuj të konservatorit Peter Schweizer. Por deri tani nuk ka dalë ndonjë provë që ish-nënpresidenti të ketë përfituar financiarisht nga marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij.

Ndërkohë anëtarët e stafit të tre komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve që po udhëheqin procedurat për shkarkimin e Presidentit Trump po mbajnë sot (të enjten) takime me dyer të mbyllura me zotin Kurt Volker, i cili dha dorëheqjen pak ditë më parë si i dërguar i SHBA-së në Ukrainë.

Pyetjet ka të ngjarë të përqendrohen tek telefonata e muajit korrik mes Presidentit Trump dhe homologut ukrahinas Zelenskiy, veprimet e zotit Volker pas telefonatës si dhe aktivitetet e avokatit personal të zotit Trump Rudy Giuliani në lidhje me pretendimet se zoti Trump i ka bërë presion zotit Zelenskiy për të hetuar ish-nënpresidentin Joe Biden. Pretendimet u ngritën në një ankesë të një informatori e cila u bë publike javën e kaluar. Në ankesë thuhej se sipas disa zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë zoti Trump i kishte bërë presion zotit Zelenskiy që të “takohet ose të bisedojë me dy persona që ai i kishte përmendur në mënyrë të qartë si të dërguarit e tij personal për këto çështje”, zotin Giuliani dhe Prokurorin e Përgjithshëm William Barr.

Zoti Volker dha dorëheqjen një ditë pas publikimit të ankesës. Ai ndihmoi në organizimin e takimeve mes zotit Giuliani me zotin Zelenskiy. Sipas Departamentit të Shtetit, në përgjigje të një kërkese të një këshilltari të zotit Zelenskiy, zoti Volker e kishte vënë atë në kontakt me zotin Giuliani.

Ankesa e informatorit nxiti demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve që të nisin zyrtarisht hetimin për shkarkim të presidentit. Informatori thotë se një ditë pas telefonatës Trump-Zelenskiy, zoti Volker dhe ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian Gordon Sondland u takuan me presidentin ukrainas e personalite të tjera politike.

Duke iu referuar zyrtarëve amerikanë informatori tha se gjatë këtyre takimeve “ambasadorët Volker dhe Sondland i dhanë këshilla udhëheqësve ukrainas se si t’u “qasen” kërkesave që Presidenti i kishte bërë zotit Zelenskiy.

Të mërkurën vonë në mbrëmje, republikani më e lartë i komisionit të Punëve të Jashtme ligjvënësi Michael McCaul tha se u alarmua kur mësoi se marrja në pyetje e zotit Volker do të udhëhiqej nga stafi i komisionit të Zbulimit. Ai foli me shqetësim edhe rreth faktit se gjatë kësaj seance demokratëve të komisionit të Punëve të Jashtme do t’u lejohej të kishin të pranishëm dy anëtarë të stafit të tyre ndërsa republikanëve vetëm një./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat