Shtëpia e Bardhë: Akuzat e demokratëve e forcojnë presidentin

Amerika

Shtëpia e Bardhë: Akuzat e demokratëve e forcojnë presidentin

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 21:10
Shtëpia e Bardhë

Presidenti i SHBA Donald Trump do t’u përgjigjet akuzave të demokratëve për shkarkimin e tij, kur procedura të kalojë në fazën e gjykimit në Senat, ku republikanët kanë shumicën, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Reagimi vjen pas shpalljes të martën nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve të dy akuzave: shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit. Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan.

Shtëpia e Bardhë ka zgjedhur të mos ngrejë argumente kundër akuzave në prag të hedhjes së tyre në votë në Dhomën e Përfaqësuesve, që pritet të bëhet së shpejti.

"Presidenti do t'u përgjigjet këto akuza të rreme në Senat dhe pret që ai ta nxjerrë plotësisht të pafajshëm, sepse nuk ka bërë asgjë të gabuar, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham në një deklaratë.

Image

Deklarata nuk sqaron se si do t'u përgjigjet akuzave Presidenti. E pyetur në një intervistë për Fox News nëse zoti Trump do të donte të dëshmonte në Senat, zonja Grisham tha se nuk ishte në dijeni.

"Unë nuk dua t’i paraprij asaj që ai mund të bëjë por jam e sigurt se ne do të marrim pjesë në një farë mënyre, sigurisht me këshilltarin tonë," tha ajo. "Gjithashtu do të sjellim dëshmitarët tanë, që ne shpresojmë se ata do të marrin pjesë".

Aparati politik i Shtëpisë së Bardhë dhe i Presidentit Trump, që përfshijnë fushatën e tij të rizgjedhjes dhe Komitetin Kombëtar Republikan, kanë zgjedhur të sulmojnë procesin e shkarkimit në vend që të debatojnë faktet e paraqitura nga demokratët.

Presidenti Trump dhe aleatët e tij e kanë quajtur procesin partiak, duke thënë se atij i mungon paanshmëria. Ata i përshkruajnë akuzuesit demokratë të Presidentit si njerëz që përpiqen të zhbëjnë zgjedhjen e tij në vitin 2016.

Image

Akuzat e ngritura nga Dhoma i Përfaqësuesve të martën i japin fund disa javëve hetime dhe seanca dëgjimore, të cilat Presidenti Trump i ka cilësuar të njëanshme. Ai thotë se seancat nuk i kanë dhënë atij asnjë mundësi për të paraqitur pikëpamjen e tij.

Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar kërkesat e përsëritura që zyrtarët e saj të lartë të dëshmojnë në Kongres apo që të dorëzojnë dokumente në komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve, ku demokratët kanë shumicën.

Dhoma e Përfaqësuesve është pothuajse e sigurtë se procesi i shkarkimit do të marrë miratimin e saj, që nuk mund të ndodhë përveçse në linja partiake. Më pas, në muajin janar Senati, i kontrolluar nga republikanët do të zhvillojë gjykimin. Asnjë republikan në asnjërën prej dhomave të Kongresit nuk është shprehur pro shkarkimit të Presidentit Trump.

Zoti Trump dhe aleatët e janë përpjekur ta përshkruajnë krejt procesin si në fakt një fitore për presidentin, duke argumentuar se orvatjet e demokratëve ka bërë që mbështetja e përkrahësve të të forcohet akoma më shumë.

"Shpallja e dy akuzave të pabaza për shkarkimin e presidentit Trump nuk e dëmton atë, por dëmton popullin amerikan, i cili pret që zyrtarët e zgjedhur prej tij të punojnë për të forcuar vendin,” tha zonja Grisham në deklaratë.

ASHPËRSOHET BETEJA POLITIKE

Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve pritet para Krishtlindjeve. Presidenti Trump reagoi në Twitter duke e quajtur procesin kundër tij një “çmenduri të pastër politike.”

Shpallja e akuzave shënon një hap të ri drejt votimit historik që pritet të ndërmarrë Dhoma e Përfaqësuesve ku demokratët kanë shumicën. Ata e akuzojnë presidentin se ka korruptuar procesin e zgjedhjeve dhe ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare.

Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, e shoqëruar nga kryetarët e komisioneve që kanë organizuar hetimet kundër presidentit, e quajti hapin e sotëm “një akt solemn”.

Akuzat i shpalli kryetari i komisionit të ligjeve, demokrati Jerrod Nadler.

“Ai rrezikon demokracinë tonë, rrezikon sigurinë tonë kombëtare. Zgjedhjet tona të rradhës janë në rrezik. Kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë tani", tha zoti Nadler.

Akuzat e shpallura të martën burojnë nga presioni që demokratët thonë se presidenti Trump i bëri Ukrainës që ajo të ndërmerrte hetime kundër rivalit të tij politik, ndërkohë që pezulloi ndihmën ushtarake për Kievin.

Por, republikanët thonë se demokratët nuk kanë asnjë bazë.

“Nuk kemi krim, nuk kemi asgjë dhe askush nuk po kupton se çfarë po përpiqet të bëjë maxhoranca. Përveçse të ndërhyjë për t’u siguruar që Presidenti të mos fitojë vitin e ardhshëm pasi ndaj tij janë ngritur akuza”, thotë ligjvënësi republikan Doug Collins.

Presidenti Trump publikoi një koment në Twitter përpara njoftimit ku thoshte se të përpiqesh të shkarkosh një president me arritje si të tijat është “çmenduri e pastër politike.”

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan.

Votimi në Komisionin e Ligjeve pritet brenda pak ditëve, ndërsa para Krishtlindjeve do të hidhet në votë në të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat