Kryetari i Nju Jorkut zotohet për luftim të anti-semitizmit

Amerika

Kryetari i Nju Jorkut zotohet për luftim të anti-semitizmit

Më: 30 dhjetor 2019 Në ora: 11:21
Foto ilustrim

Kryetari i Nju-Jorkut, Bill de Blasio ka njoftuar për një seri masash për luftim të “krizës” së sulmeve anti-semitike, pas një sulmi me thikë në fundjavë.

De Blasio ka thënë se pjesëtarë të sigurimit do të angazhohen në hapësira të hebrenjve, si dhe shkollat do të mësojnë nxënësit që të luftojnë urrejtjen.

Të paktën pesë persona janë plagosur në sulmin me thikë, në shtëpinë e një rabini të shtunën në Nju Jork.

Vetëm një ditë para sulmit, de Blasio pati njoftuar për shtim të patrullimeve policore në zonat e populluara me hebrenj, pas incidenteve anti-semitike në të kaluarën.

Pas sulmit, ai ka thënë se zyrtarë shtesë do të pozicionohen në Williamsburg, Crown Heights dhe parkun Borough.

“Njerëzit e këtij komuniteti do të shohin zyrtarë para shtëpive të tyre të lutjes dhe nëpër rrugë. Neve na duhet të ofrojmë një ndjenjë të sigurisë dhe duhet të tregojmë se ky trend i tmerrshëm që kemi parë në javët e fundit duhet të ndalet”, ka shtuar mes tjerash ai, transmeton rel.

Dëshmitarët kanë thënë se sulmuesi ka hyrë në një shtëpi në Monsei, në veri të Nju Jorkut, në të cilën ka qenë duke u shënuar një festë fetare, kur një person ka nisur të sulmojë njerëzit me një thikë të madhe.

Sulmuesi i dyshuar, i identifikuar nga policia si Grafton Thomas, 37-vjeçar, nga Nju Jorku është akuzuar për tentim-vrasje.

Thomas e ka shpallur veten të pafajshëm.

Çfarë ka ndodhur?

Sulmuesi ka hyrë në shtëpinë e rabinit, Yisroel Kahan në një zonë të populluar me hebrenj ortodoksë.

Kahan ka përshkruar momentin kur ka nisur sulmi.

“Ai ka hyrë në derë, e ka përplasur atë dhe ka thënë ‘asnjë prej jush nuk dilni nga këtu’ dhe më pas ka filluar të bëjë të paimagjinueshmen”, ka thënë ai.

Yossi Gestetner, bashkëthemelues i Këshillit për Çështje Publike të Hebrenjve Ortodoksë, ka thënë për të përditshmen, The New York Times se sulmuesi ka pasur fytyrën pjesërisht të mbuluar dhe se edhe djali i rabinit ka qenë në mesin e të plagosurve.

Aron Kohn, 65-vjeçar, që ka qenë në shtëpi në atë kohë, ka thënë: Unë kam qenë duke u lutur për jetën time. Nuk kemi pasur kohë që të reagojmë”.

Kohn ka thënë se sulmuesi më vonë ka tentuar të hyjë në një sinagogë afër shtëpisë, mirëpo njerëzit kanë mbyllur derën.

Ai më parë ka ikur me veturë, mirëpo kamerat e sigurisë kanë regjistruar numrin e makinës së tij dhe ai është ndaluar në qytetin e Nju Jorkut.

Çfarë thonë autoritetet tjera të Nju Jorkut?

Guvernatori shtetëror, Andrew Cuomo e ka përshkruar sulmin si “terrorizëm të brendshëm”. Urrejtja e bazuar në racë dhe ngjyrë ka qenë “kanceri i Amerikës që është shpërndarë në trupin politik”, ka thënë guvernatori në një konferencë për media të dielën.

Ai ka bërë thirrje për ligj të terrorizmit të brendshëm, në mënyrë që të gjykohen ndaras këto krime.

“Vetëm pse ata nuk vijnë nga një shtet tjetër, nuk nënkupton se nuk janë terroristë. Ata duhet të gjykohen si terroristë të brendshëm”.

“Ne nuk do lejojmë shpërndarjen e këtij helmi. Askush nuk mund ta mposhtë këtë shtet, mirëpo ky shtet mund ta mposhtë vetëveten”, ka shtuar ai.

Cilat kanë qenë reagimet tjera?

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se sulmi ka qenë i “tmerrshëm”.

“Neve na duhet të bashkohemi për të luftuar dhe zhdukur mashtrimin e keq të anti-semitizmit”, ka thënë ai.

Në Izrael, presidenti, Reuven Rivlin ka shprehur “zemërimin e tij për këtë sulm”.

A janë në rritje sulmet anti-semitike në SHBA?

Të premten e javës së kaluar, njësia kundër urrejtjes në Nju Jork ka thënë se është duke hetuar tetë incidente anti-semitike prej 13 dhjetorit.

Komisionari i Departamentit të Policisë në Nju Jork, Dermot Shea ka thënë se krimet e urrejtjes në Nju Jork janë rritur për 22 për qind këtë vit.

Në muajin prill, një sulmues me armë zjarri ka vrarë një grua të komuniteti hebre dhe ka plagosur tre të tjerë në një sinagogë në San Diego.

Ky sulm ka ndodhur gjashtë muaj pas sulmit më të rëndë anti-semitik në historinë amerikane, pasi një sulmues ka vrarë 11 besimtarë në një sinagogë në Pitsburg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat