Trudeau premton drejtësi për viktimat e aeroplanit të rrëzuar në Iran

Amerika

Trudeau premton drejtësi për viktimat e aeroplanit të rrëzuar në Iran

Më: 13 janar 2020 Në ora: 08:32
Justin Trudeau

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, gjatë një fjalimi emocional ka thënë se do të sigurojë drejtësi për viktimat e aeroplanit të rrëzuar nga ushtria iraniane.

Irani ka thënë se e ka rrëzuar gabimisht aeroplanin e kompanisë “Ukraine International Airlines”, duke lënë të vdekur 176 personat që ndodheshin në të. Në mesin e viktimave ishin së paku 57 kanadezë me prejardhje iraniane.

“Ju mund të ndiheni tmerrësisht të vetmuar, por nuk jeni vetëm. I tërë vendi juaj qëndron me ju, sonte, nesër dhe në të gjitha vitet që do të vijnë”, tha kryeministri kanadez para një grumbulli prej 1700 personave, të cilët ishin mbledhur për t’i përkujtuar viktimat e aeroplanit.

“Kjo tragjedi nuk do të duhej të ndodhte asnjëherë dhe dua të ju siguroj që e keni mbështetjen time të plotë gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë. Ju na dhuroni qëllimin për të siguruar drejtësi dhe llogaridhënie për ju. Nuk do të ndalemi derisa t’i marrim përgjigjet”, shtoi ai.

Komuniteti iranian në Edmonton të Kanadasë është duke mbledhur fonde për t’i paguar shpenzimet e funeraleve për familjet e viktimave.

Ndryshe, edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar hetim të plotë dhe dëmshpërblim nga autoritetet iraniane për rrëzimin e aeroplanit civil, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat