Tjetër sulm me raketa ndaj një baze amerikane në Irak – reagon Shtëpia e Bardhë - Bota Sot
Tjetër sulm me raketa ndaj një baze amerikane në Irak – reagon Shtëpia e Bardhë

Amerika

Tjetër sulm me raketa ndaj një baze amerikane në Irak – reagon Shtëpia e Bardhë

Më: 15 janar 2020 Në ora: 19:11
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një bazë e ushtrisë amerikane në Irak e cila ishte në shënjestër të një sulmi rakete mbrëmë, është gjithashtu vendndodhje edhe për 200 personel britanikë.

Sipas mediave të huaja asnjë grup nuk ka marrë ende përgjegjësi për sulmin me raketa Katyusha në Camp Taji, në veri të Bagdadit.

Për dallim nga raketat balistike që Irani gjuajti në dy bazat amerikane në Irak javën e kaluar, raketat Katyusha të bëra nga sovjetikët kanë një gamë më të shkurtër dhe u përshkruan si një “sulm më i vogël”, sipas një zëdhënësi ushtarak të koalicionit.

Gjithashtu, për fat të mirë nuk është raportuar për ndonjë viktimë.

Kjo është bërë e ditur edhe nga koloneli Myles Caggins III, i cili ka shkruar në Twitter: “Asnjë trupë e Koalicionit nuk u prek nga ky sulm i vogël në Bazën Taji”.

Reagimi ka ardhur edhe nga Shtëpia e Bardhë.

Sekretari i Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, dënoi sulmin me raketa, duke shkruar: “I indinjuar nga raportet për një sulm tjetër me raketa në një bazë ajrore irakiane. Unë lutem për shërimin e shpejtë të të plagosurve dhe i bëj thirrje qeverisë së Irakut t’i mbajë përgjegjës ata që janë përgjegjës për këto sulme. Këto shkelje të vazhdueshme të sovranitetit të Irakut nga grupe jo besnike ndaj qeverisë së Irakut duhet të mbarojnë”.

Sulmet vijnë mes rritjes së tensioneve në rajon, pasi presidenti Trump urdhëroi një sulm me dron, i cili vrau gjeneralin iranian Qasem Soleimani më 3 janar.

Presidenti Trump tha se Soleimani ishte duke ‘zhvilluar në mënyrë aktive plane për të sulmuar diplomatët amerikanë dhe anëtarët e shërbimit në Irak dhe në të gjithë rajonin’.

Si përgjigje, Irani gjuajti një numër raketash balistike në dy baza të ushtrisë amerikane në Irak, në të cilat nuk raportohet për viktima.

Zyrtarët kanë shprehur shqetësimin se Irani do të rrisë përdorimin e forcave në Lindjen e Mesme për të synuar trupat e koalicionit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat