Spitalet e Nju Jorkut përgatiten për fluksin e pacientëve me COVID-19 - Bota Sot
Spitalet e Nju Jorkut përgatiten për fluksin e pacientëve me COVID-19

Amerika

Spitalet e Nju Jorkut përgatiten për fluksin e pacientëve me COVID-19

Më: 26 mars 2020 Në ora: 06:09
Ilustrim

Spitalet në mbarë shtetin e Nju Jorkut po përgatiten për një fluks pacientësh me virusin COVID-19. Guvernatori i këtij shteti njoftoi se janë siguruar për të ardhmen e afërt furnizime të majftueshme për të gjithë shtetin, përfshirë qytetin e Nju Jorkut, dhe se ka filluar ngritja e spitaleve të përkohshëm. Megjithatë ai paralajmëroi se projeksionet e rasteve të njerëzve që mund të infektohen tregojnë shifra që janë mbi dyfishin e kapaciteteve të shtretërve spitalorë në këtë shtet.

Spitalet e Nju Jorkut po përgatiten për një fluks pacientësh me koronavirusin. Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, njoftoi se do të ngrihen katër spitale të përkohshëm, për të mundësuar trajtimin mjekësor të njujorkezëve të infektuar. Një nga godinat e përzgjedhura është Qendra e Konventave “Jacob Javits”, në qendër të Manhatanit.

“Këtu në Qendrën Javits po ngremë spitale emergjencash. Secili prej tyre do të ketë një kapacitet prej rreth 250 personash. Pra, të katërt së bashku do të jenë rreth 1 mijë persona në katin e parë ku janë sallat e ekspozitave të mëdha”, tha Guvernatori Cuomo. Po përgatiten gjithashtu Qendra Mjekësore “Langone” e Universitetit të Nju Jorkut, si dhe Qendra Spitalore “Bellevue” në Manhatan.

Guvernatori Cuomo sqaroi se se katër mjediset spitalore brenda Qendrës “Javits” do të ngrihen nga Agjensia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA), e cila do të ofrojë edhe personelin federal. “Po shohim gjithashtu nëse mund të përgatisim edhe 1 mijë shtretër të tjerë për kujdes mjekësor të një niveli më të lehtë se spitalet. Pra mund të arrijmë një kapacitet prej 2 mijë shtretërish në këtë mjedis”, tha Guvernatori Cuomo ndërsa paraqiste detajet e planit të tij.

Guvernatori ka urdhëruar të gjitha spitalet brenda shtetit të Nju Jorkut që të anullojnë të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale rutinë, për të rritur kështu kapacitetin e spitaleve. Shteti i Nju Jorkut ka 15168 raste të konfirmuara të infektuarish me koronavirusin. Nga këta, 9045 gjenden në qytetin e Nju Jorkut.

Guvernatori Cuomo njoftoi se për të ardhmen e afërt janë siguruar tashmë furnizimet mjekësore, por e bëri të qartë se kapaciteti i shtretërve spitalorë në këtë shtet, së shpejti mund të mos i plotësojë nevojat. “Problemi i menjëhershëm në qytetin e Nju Jorkut ishin furnizimet mjekësore, maskat, kostumet mbrojtëse etj. Punuam për t’i gjetur këto furnizime në mbarë globin dhe mendoj se për të ardhmen e afërt kemi kapacitete të mjaftueshme për të gjithë shtetin, përfshirë qytetin e Nju Jorkut. Por, çështja kryesore është se kemi 53 mijë shtretër spitalorë. Sipas projeksioneve, mund të na lindë nevoja për 110 mijë shtretër”, tha Guvernatori Cuomo.

Këto përgatitje në Nju Jork bëhen ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi sot se Shtetet e Bashkuara mund të shndërrohen në epiqendrën e re globale të pandemisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat