Mineapolis, ceremoni përkujtimore për George Floyd

Amerika

Mineapolis, ceremoni përkujtimore për George Floyd

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 06:20
Ceremoni përkujtimore për George Floyd

Në Mineapolis po zhvillohet një nga tre ceremonitë përkujtimore për George Floyd, i cili vdiq ndërsa po arrestohej nga një polic i bardhë më shumë se një javë më parë. Vdekja e tij nxiti protesta mbarë-kombëtare, të shoqëruara me plaçkitje e shkatërrime dhe me ballafaqime me policinë.

Aktivisti për të drejta civile Al Sharpton do të drejtojë shërbesën e mbyllur të enjten ku do të marrin pjesë miq dhe të afërm të viktimës.

Trupi do të vendoset për homazhe të shtunën në Karolinën e Veriut, ku lindi George Floyd, pasuar nga një shërbesë e madhe të hënën në Hjuston, ku ai shpenzoi pjesën më të madhe të jetës.

Protestuesit e mirëpritën ngritjen e akuzave ndaj tre policëve të tjerë që ishin në skenën e ngjarjes kur u arrestua George Floyd.

Ndërkaq protestat kanë vazhduar këto ditë në qytetet kryesore të vendit. Në Uashington, ora policore është tani 21 e mbrëmjes, pasi fillimisht kryebashkiakja Muriel Bowser kishte caktuar orën 19.

Në Detroit shefi i policisë ka thënë se nuk do të ndalojë protesta paqësore, ndërkohë që kryebashkiakja e Siatellit ka ndaluar urdhrat për orën policore që fillimisht ishin deklaruar në zbatim deri të shtunën.

Protestat filluan pasi u bë publike një video e 46-vjeçarit afrikano-amerikan George Floyd i mbërthyer me këmbën në fyt nga një polic i bardhë për më shumë se tetë minuta, deri sa ai nuk lëviz më dhe duket se nuk reagon. Polici që mban të mbërthyer viktimën është akuzuar për vrasje me qëllim të grades të dytë dhe vrasje pa paramendim; tre policët e tjerë janë akuzuar për ndihmë në kryerjen e një vrasjeje./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat