“Periudhë sfiduese” në SHBA: Rekord i ri rastesh me koronavirus

Amerika

“Periudhë sfiduese” në SHBA: Rekord i ri rastesh me koronavirus

Më: 10 korrik 2020 Në ora: 15:29
Punëtorët shëndetësor në Nju Jork.

Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të SHBA-së për Alergji dhe Sëmundje Infektive, tha se rritja e numrit të të infektuarve dhe viktimave vjen pasi shumë shtete të SHBA-së filluan rihapjen e bizneseve dhe lehtësimin e urdhrave të qëndrimit në shtëpi përpara se të shihnin një ngadalësim të shkallës së infeksionit.

“Tani jemi në një periudhë shumë të vështirë, sfiduese”, tha Fauci në një telekonferencë të organizuar nga ueb-faqja amerikane e lajmeve The Hill.

Numri i të infektuarve është duke u rritur në 41 nga 50 shtetet e SHBA-së.

Në mesin e më të goditurave janë: Kalifornia, Teksasi dhe Florida – tri shtetet më të populluara.

Numri në rritje i rasteve i ka mbushur shtretërit spitalorë dhe ka detyruar shumë shtete që t’i tërheqin planet për rihapjen e bizneseve, shkollave dhe kishave.

Fauci tha se shtetet e goditura nuk duhet të shkojnë përpara me rihapje, por po ashtu nuk tha se ato duhet të izolohen plotësisht.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar të enjten rekord rastesh të reja me koronavirus: mbi 65,000.

Rekordi paraprak është shënuar një ditë më herët, kur janë konfirmuar 60,541 raste të reja.

Të enjten, autoritetet amerikane regjistruan po ashtu mbi 1,000 viktima.

Në total, Shtetet e Bashkuara kanë raportuar mbi 3.1 milionë raste dhe mbi 133,000 viktima nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, përsëriti se numri i madh i rasteve ndodh për shkak të numrit të madh të testimeve.

"Për herë të 100-të, arsyeja pse ne tregojmë kaq shumë raste, në krahasim me vendet e tjera, është se testimi ynë është shumë më i madh dhe më i mirë”, shkroi Trump në Twitter.

Gjetkë në botë, Australia kërkoi nga banorët e zonave metropolitane rreth Melburnit të veshin maska jashtë, pasi rajoni i Viktorias ka regjistruar rekord ditor rastesh: 288.

Presidentja e përkohshme e Bolivisë, Jeanine Anez, u bë liderja e fundit botërore që doli pozitive në testin për koronavirus.

Ditë më parë, pozitiv ka dalë edhe presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ndërsa ma herët ka qenë edhe kryeministri i Britanisë, Boris Johnson.

Në një tjetër zhvillim, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se “nuk mund të përjashtohet” mundësia që koronavirusi të transmetohet përmes ajrit në kushte të caktuara.

Në udhëzimin e fundit të transmetimit, OBSH-ja tha se ka hetuar nëse koronavirusi mund të përhapet përmes aerosoleve, "veçanërisht në ambiente të brendshme me ventilim të dobët".

Se sa e zakonshme është që virusi të përhapet përmes aerosoleve – përzierjes së grimcave të ngurta ose pikave të lëngshme në ajër – mbetet e paqartë.

Prejse është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit të kaluar, koronavirusi ka infektuar mbi 12.2 milionë njerëz në gjithë botën.

Prej tyre, mbi 554,000 kanë vdekur dhe mbi 6.7 milionë janë shëruar./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat