Pompeo paralajmëron për rritje të autoritarizmit të udhëhequr nga Rusia dhe Kina

Amerika

Pompeo paralajmëron për rritje të autoritarizmit të udhëhequr nga Rusia dhe Kina

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 20:35
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka paralajmëruar të martën për rritje të autoritarizmit të udhëhequr nga Rusia, Kina dhe Irani, që përbën kërcënim për liritë në gjithë botën.

Teksa ka nisur vizitën e tij në Republikën Çeke, Pompeo ka nderuar forcat amerikane që kanë çliruar perëndimin e Çekosllovakisë së dikurshme më 1945, si dhe ka folur me lavdi për vlerat e përbashkëta amerikane dhe çeke.

Duke vizituar monumentin “Faleminderit Amerikë” , në qytetin e Pëllzenit, Pompeo ka bërë thirrje për vëmendje në mbrojtjen e vlerave demokratike, të fituara pas Luftës së Dytë Botërore, dhe më vonë pas shkatërrimit të ish-Bashkimit Sovjetik.

“Vlen të kujtojmë, madje edhe kur festojmë, që pasi autoritarizmi është ende gjallë në Pekin, Moskë dhe Teheran, ende ka punë për të bërë”, ka thënë ai në një fjalim të shkurtër.

Pompeo synon të shfrytëzojë vizitën e tij, që vazhdon edhe të mërkurën, për t’i shtyrë përpara nikoqirët e tij që ta luftojnë ndikimin rus dhe atë kinez.

Rusia dhe Kina janë aktive në rritjen e rolit të tyre në gjithë kontinentin evropian, në fushat si energjia, infrastruktura dhe telekomunikimet, trend të cilin Shtetet e Bashkuara synojnë ta ndalin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat