Trump kundër fondeve për Sherbimin Postar federal sepse do të nxiste votimin përmes postës

Amerika

Trump kundër fondeve për Sherbimin Postar federal sepse do të nxiste votimin përmes postës

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 06:36
Ilustrim

Presidenti Donald Trump tha të enjten se është kundër kërkesës së demokratëve për miliarda dollarë fonde për shërbimin postar amerikan sepse do të krijonte kushtet për votime përmes postës në zgjedhjet kombëtare të nëntorit, për të cilat presidenti ka ngritur shqetësimin, pa ofruar prova, se do të çonte në manipulime masiv dhe do ta shtrembëronte rezultatin kundër tij.

Presidenti Trump tha për rrjetin televiziv “Fox Business Network” se “tani ata kanë nevojë për këto fonde që të bëjnë të mundshëm funksionimin e sherbimit postar, që të merret me miliona, e miliona fletëvotimi. Por nëse nuk marrin fondet, kjo do të thotë se nuk mund të ketë votim universal me postë, sepse nuk janë të pajisur për ta bërë këtë gjë.”

Presidenti Trump tha se “25 miliardë dollarë janë për sherbimin postar dhe 3,5 miliardë për votimin përmes postës. Nëse nuk bëjmë marrëveshje, do të thotë që ata nuk do të kenë fondet, që do të thotë që nuk mund të kenë votime përmes postës. Thjeshtë, nuk mund të ndodhë.”

Negociatat e Shtëpisës së Bardhë me ligjvënësit demokratë në opozitë kanë përfshirë diskutime lidhur me financimin e Sherbimit Postar, së bashku me një paketë më të gjerë ndihme për të papunët, familjet amerikane, bizneset dhe qeveritë lokale dhe shtetërore të prekura nga pandemia e koronavirusit.

Por bisedimet dështuan një javë më parë lidhur me fondet për postën dhe masën për zgjatjen e ndihmës për koronavirusin, ndërsa demokratët kërkuan një paketë asistence me vlerë më të madhe dhe republikanët shpenzime më të pakta. Përpjekjet për rifillimin e bisedimeve dështuan të mërkurën. Në muajin mars, Presidenti Trump i Partisë Republikane shprehu një arsye tjetër përse kundërshton zgjerimin e qasjes ndaj votimit me postë, duke thënë se mund të çojë në më shumë vota për demokratët.Ai tha se kjo do të çonte në “përqindje të pjesëmarrjes në votime që, nëse arrihet dakordësi për ta lejuar këtë proces, nuk do të arrinte më ndonjë republikan të zgjidhej në këtë vend.”

Presidenti Trump vazhdimisht ka shprehur kundërshtimin ndaj votimit me postë, duke ngritur si shqetësim mundësinë për manipulim, megjithëse rastet e mashtrimeve në votimet amerikanë kanë qënë të rralla. Një javë më parë ai pranoi se votimi përmes postës në Florida ishte i mirë, sepse ishte i zhvilluar nëm mbikëqyrjen e dy guvernatorëve republikanë që e mbështesin atë.Në të njëjtën kohë, fushata e tij ngriti padi gjyqësore për të bllokuar zgjerimin e votimit përmes postës në shtetin Nevada, të drejtuar nga një guvernator demokrat i cili ka qënë një kritik i mprehtë ndaj zotit Trump.

Pesë nga 50 shtetet amerikane tashmë i zhvillojnë zgjdhjet e tyre pothuajse tërësisht përmes postës. Qeveri të shumta shtetesh kanë vepruar me shpejtësi këtë vit për të lehtësuar votimin përmes postës, duke u dhënë mundësi të marrin pjesë në zgjedhje votuesve të frikësuar se mund të infektohen nga virusi nëse shkojnë në qendrat e votimit, ku do të përballeshin me njerëz të tjerë.

Demokratët e kanë sulmuar Presidentin Trump lidhur me përpjekjet për të frenuar ndihmën e re për Sherbimin Postar.

Senatori demokrat Chris Coons u shpreh për rrjetin televiziv MSNBC, “Fillimisht kisha shpresë se kjo nuk ishte përpjekje e qëllimshme për të ndërhyrë në zgjedhje. Tani, jam shumë i shqetësuar duke patur parasysh ndryshimet e fundit në Sherbimin Postar nga udhëheqja e re. Mos të harrojmë që kreu i këtij istitucioni ishte një donator i rëndësishëm në fushatën e zotit Trump.”

Drejtuesi i Sherbimit Postar, Louis DeJoy, i cili ka dhuruar 2,7 milionë dollarë për zotin Trump dhe republikanë të tjerë që nga viti 2017, ka dhënë urdhër për anulimin e kompensimit shtesë për kohën e punuar jashtë orarit të rregullt, në përpjekje për të shkurtuar humbjet kronike financiare të agjencisë. Por kritikët thonë se kjo ka rezultuar në ngadalësimin e shpërndarjes së postës.

Përveç shqetësimeve për manipulim, një tjetër shqetësim është se zgjerimi i votimit me postë do të sjellë vonesa të numërimit të votës. Në disa shtete në votimet partiake demokrate dhe republikane pati vonesa në dërgimin e fletëvotimeve duke bërë që shpallja e rezultateve të vonohej për disa javë.

Në këtë kohë pandemie me mijëra votues kanë kërkuar që të votojnë përmes postës, shumë më shumë se në zgjedhjet e mëparshme, që zakonisht merrnin pjesë në qendrat e caktuara të votimeve.

Për shkak të rritjes së madhe të votimit përmes postës, shumë analistë politikë kanë paralajmëruar se numërimi i votave në zgjedhjet kombëtare të 3 nëntorit mund të shtyhet përtej ditës së zgjedhjeve, ndoshta duke lënë pezull për disa ditë ose javë rezultatin mes zotit Trump dhe rivalit të pritshëm demokrat, Joe Biden./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat