Trump dhe Biden përplasen për ndryshimet klimatike dhe zjarret

Amerika

Trump dhe Biden përplasen për ndryshimet klimatike dhe zjarret

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 09:36
Foto ilustrim

Presidenti i Shteteve të Bashkura, Donald Trump, dhe sfiduesi i tij demokrat në zgjedhjet e nëntorit, Joe Biden, i përqendruan fushatat e tyre në zjarret vdekjeprurëse në Bregun Perëndimor të SHBA-së, duke shprehur pikëpamje krejt të kundërta për ndryshimet klimatike.

Trump, i cili shkoi në Sakramento të Kalifornisë për t’u informuar nga afër në lidhje me zjarret, e hodhi poshtë idenë se ndryshimet klimatike janë arsyeja kryesore e tyre.

Koha “do të fillojë të bëhet më e freskët”, tha Trump. Ai i bëri këto komente në një konferencë për media, ku një zyrtar lokal tha se menaxhimi i pyjeve është një çështje e veçantë, por shtoi se ndryshimet e klimës janë problemi themelor, që nuk mund të injorohet.

“Do të fillojë të bëhet më freskët. Ju, thjesht, shikoni”, i tha Trump kreut të Agjencisë së Burimeve Natyrore të Kalifornisë, Wade Crowfoot.“Do të doja që shkenca të pajtohet me ju”, tha në anën tjetër Crowfoot.“Në fakt, nuk mendoj se shkenca e di”, këmbënguli Trump.

Trump ka fajësuar vazhdimisht menaxhimin e dobët të pyjeve për zjarret dhe ka minimizuar ndryshimet klimatike, të shkaktuara nga njerëzit.

Duke folur në Dellauer, Biden e quajti Trumpin “zjarrvënës të klimës” dhe tha se politikat e tij e kanë minuar mbrojtjen e klimës, mjedisin dhe sigurinë e amerikanëve.

“Nëse i jepni zjarrvënësit të klimës edhe katër vjet në Shtëpinë e Bardhë, përse dikush do të habitej nëse kemi më shumë Amerikë në flakë”, pyeti Biden.“Ne kemi nevojë për një president që e respekton shkencën, që e kupton se dëmi nga ndryshimi i klimës tashmë ekziston”, tha Biden.

“Është e qartë që ne nuk jemi të sigurt në Amerikën e Donald Trumpit. Kjo është një krizë tjetër, për të cilën ai nuk do të marrë përgjegjësi”, shtoi ai.

Zjarret në Kaliforni, në Oregon dhe në shtetin e Uashingtonit kanë vrarë së paku 33 vetë, kanë djegur 2 milionë hektarë tokë dhe kanë detyruar dhjetëra-mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Për miliona njerëz në Bregun Perëndimor janë lëshuar paralajmërime për ajër jo të shëndetshëm.Derisa pandemia e koronavirusit, ekonomia dhe trazirat sociale kanë qenë deri më tash në qendër të vëmendjes, shkalla e zjarreve në Bregun Perëndimor ka sjellë një fokus të ri edhe mbi ndryshimet klimatike.Sipas një sondazhi të kompanisë Pew, të kryer në fund të korrikut dhe fillim të gushtit, 42 për qind e votuesve në zgjedhjet e 3 nëntorit kanë thënë se ndryshimi i klimës “është shumë i rëndësishëm”

.Por, sondazhi ka gjetur dallime të mëdha midis mbështetësve të Bidenit dhe atyre të Trumpit në lidhje me këtë çështje. Vetëm 11 për qind e mbështetësve të presidentit kanë thënë se ndryshimi i klimës “është shumë i rëndësishëm”, krahasuar me 68 për qind të mbështetësve të Bidenit që e kanë pohuar të njëjtën gjë.

Trump dhe Biden kanë qasje jashtëzakonisht të ndryshme për mjedisin dhe ndryshimin e klimës.Trump vazhdimisht e ka minuar ndikimin e ndryshimeve klimatike, e ka nxjerrë SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe ka reduktuar rregulloret për mjedisin.Biden thotë se nëse zgjidhet president, ai do ta rikthejë SHBA-në në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, do të investojë dy trilionë dollarë në energji të pastër dhe do t’i ndalojë të gjitha emetimet e dëmshme nga termocentralet e SHBA-së deri në vitin 2035.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat