Irani dhe Rusia kanë marrë informacione rreth votuesve amerikanë, disa kanë marrë emaile kërcënuese

Amerika

Irani dhe Rusia kanë marrë informacione rreth votuesve amerikanë, disa kanë marrë emaile kërcënuese

Nga: D.G. Më: 22 tetor 2020 Në ora: 09:23
Votues amerikanë (Ilustrim)

Zyrtarët e inteligjencës amerikane thonë se Irani qëndron prapa një fushate për të dërguar emaile kërcënuese për amerikanët pro-demokratë.

Drejtori i komunitetit të inteligjencës kombëtare të Shteteve të Bashkuara, John Ratcliffe, tha se postat elektronike dukeshin sikur të ishin dërguar nga një grup i ekstremit të djathtë të mbështetësve të presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe se ato kishin për qëllim të "nxisnin trazira".

Ratcliffe gjithashtu tha se zyrtarët amerikanë kanë mësuar se Irani dhe Rusia kanë arritur "disa të dhëna në lidhje me regjistrimin e votuesve".

Ky njoftim vjen vetëm 13 ditë para zgjedhjeve presidenciale në ShBA.

Konferenca e pazakontë për shtyp në të cilën u botuan të dhënat e përmendura dëshmon se qeveria Amerikane është e shqetësuar për ndërhyrjen e mundshme të aktorëve të huaj në rrjedhën dhe rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Ratcliffe tha se Irani ka krijuar "emaile të rreme" për t'u dukur sikur ishin dërguar nga anëtarët e grupit "Proud Boys", dhe me to donin t'i "frikësonin votuesit", "të nxisnin trazira" dhe "të dëmtonin" presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Ai shtoi se të dhënat e votuesve mund të përdoren për të dërguar informacione të rreme tek votuesit, të gjitha me qëllim krijimin e konfuzionit dhe minimin e "demokracisë amerikane".

Ratcliffe thotë se Rusia nuk ka dërguar emaile të tilla ose të ngjashme, por tha se ka marrë informacion në lidhje me votuesit.

"Nëse merrni një email kërcënues ose të dyshimtë, mos kini frikë dhe mos e përcillni," tha Ratcliffe. "Këto janë përpjekjet e dëshpëruara të armiqve tanë të dëshpëruar."

Drejtori i FBI-së Christopher Wray tha në të njëjtën konferencë se sistemi zgjedhor i ShBA-së është "rezistues" dhe i sigurt.

"Mund të keni besim se vota juaj do të regjistrohet. Pretendimet e hershme dhe të pakonfirmuara për të kundërtën duhet të merren me një dozë të shëndetshme skepticizmi," tha Wray.

Zyrtarët amerikanë nuk shpjeguan se si aktorët e huaj morën informacion në lidhje me votuesit dhe çfarë mund të bënin me to.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat