Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë kërkon ndjesë për intervistën me stacionin rus RT

Amerika

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë kërkon ndjesë për intervistën me stacionin rus RT

Më: 2 nëntor 2020 Në ora: 20:45
Scott Atlas

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, Scott Atlas kërkoi falje për një intervistë që i dha stacionit televiziv rus RT të mbështetur nga Kremlini, duke thënë se nuk ishte në dijeni që ky televizion ishte i regjistruar në Shtetet e Bashkuara me statusin “agjent i huaj”.

Zoti Atlas, me profesion neuroradiolog dhe anëtar i grupit special për koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë, u shfaq në kanalin rus të shtunën dhe kritikoi masat e bllokimit për koronavirusin, duke i quajtur ato një "dështim epik" në frenimin e tij.

"Kohët e fundit kam bërë një intervistë me RT dhe nuk kam qenë në dijeni se ata janë të regjistruar si agjent i huaj," shkroi Dr. Atlas në Twitter. "Më vjen keq që e bëra intervistën dhe kërkoj falje që e lejova veten të përdorem prej tyre.”

"Veçanërisht i kërkoj falje komunitetit të sigurisë kombëtare që po punon shumë për të na mbrojtur," tha ai.

RT u regjistrua si agjent i huaj në SHBA tre vjet më parë. Në një raport të agjencive të inteligjencës amerikane në janar 2017, thuhej se stacioni televiziv, i cili transmeton me kabëll në Shtetet e Bashkuara, është "makina propagandistike shtetërore e Rusisë" dhe se ai kontribuoi në fushatën e Kremlinit për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016s në favor të kandidatit fitues, presidentit republikan Donald Trump.

Pas këtij raporti, Departamenti amerikan i Drejtësisë këmbënguli që stacioni “RT America” të përmbushte kërkesat në bazë të Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).

"Bllokimet ... do të mbahen mend si një dështim epik i politikave publike nga njerëz që nuk deshën të pranojnë se kishin gabuar," i tha Dr. Atlas televizionit RT në intervistë.

Ekspertët e shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara kanë ngritur më parë shqetësime se zoti Atlas, i cili nuk ka përvojë në sëmundjet infektive, po i jepte Presidentit Trump informacione të pasakta për pandeminë.

Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive, tha të shtunën se zoti Atlas është i vetmi këshilltar për pandeminë me të cilin Presidenti Trump këshillohet rregullisht.

"Unë kam probleme me të," i tha Dr. Fauci gazetës Washington Post. "Ai është njeri i zgjuar që flet për gjëra që unë besoj se nuk i njeh mirë, ose nuk ka shumë përvojë.”/Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat