SHBA, pandemia cungon festimet e ditës së Falenderimeve

Amerika

SHBA, pandemia cungon festimet e ditës së Falenderimeve

Më: 26 nëntor 2020 Në ora: 21:39
SHBA

Amerikanët po festojnë të enjten një ditë Falenderimesh të transformuar si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Shumë familje hoqën dorë nga tradita për t’u mbledhur me rastin e kësaj dite. Po kështu parada tradicionale e rrjetit të dyqaneve me pakicë Macy’s u kufizua në një ngjarje që u ndoq vetëm nëpërmjet televizorit.

Falenderimet, normalisht një ditë gjatë së cilës familjet amerikane e miqtë mblidhen në një numër të madh për të festuar dhe për të kujtuar bekimet e jetës, do të duken ndryshe këtë vit për shkak të numrit në rritje të infeksioneve dhe viktimave.

Parada e Macy-t me rastin e Ditës së Falenderimeve e Macy-t në Nju Jork, një spektakël tullumbacesh gjigante me fytyra karakteresh të njohura për fëmijë që i kanë argëtuar ata për gati një shekull, është reduktuar në mënyrë të konsiderueshme. Spektatorët nuk u lejuan të rreshtohen përgjatë paradës në rrugë, sikurse më parë.

Ngjarja nisi të enjten në mëngjes me një seri shfaqjesh me muzikë e balona.

Ekspertët kanë ngritur shqetësimin se dita e Falenderimeve mund të rrisë ndjeshëm numrin e të prekurve ndërsa numri i të vdekurve në të gjithë vendin i ka tejkaluar të 260 mijë rastet që prej fillimit të pandemisë.

Ndryshe nga këshillat e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve për të qëndruar në shtëpi gjatë ditës së festës, rreth 6 milionë amerikanë udhëtuan prej së premtes së kaluar deri të mërkurën. Megjithatë kjo shifër është më pak se gjysma e numrit të shënuar gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Sipas një sondazhi në rang kombëtar të Qendrës Mjekësore Wexner në universitetin e Ohajos rreth 40 për qind e amerikanëve planifikojnë të marrin pjesë në një nga ato që shihen si "grumbullime të rrezikshme" gjatë sezonit të festave, ose në grumbullime prej më shumë se 10 personash me njerëz që nuk banojnë në të njëjtën shtëpi. Një e treta nuk do t’u kërkojë mysafirëve të mbajnë maskë.

Por shumë të tjerë kanë anuluar udhëtimit dhe në vend të kësaj kanë zgjedhur të urojnë të dashurit e tyre përmes FaceTime-it apo Zoom-it./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat