Përfshirja e grave në kabinetin e presidentit të zgjedhur Joe Biden

Amerika

Përfshirja e grave në kabinetin e presidentit të zgjedhur Joe Biden

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 00:20
Joe Biden

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka caktuar gra për shumë nga pozitat kyçe të kabinetit të tij.

I gjithë ekipi i tij në zyrën e komunikimit përbëhet nga gratë, pjesë kjo e premtimit të tij gjatë fushatës zgjedhore për përfshirjen e grave dhe barazinë gjinore në institucione.

Ndonëse shifrat nuk janë përfundimtare, nuk ka dyshim se gratë ndihmuan në fitoren e Joe Biden-it në zgjedhje. Sipas sondazheve të grupit “Edison Research” 57 për qind e grave votuan për zotin Biden ndërsa 42 për qind për Presidentin Trump.

President i zgjedhur, zoti Biden ka emëruar gra në pozita kyçe të kabinetit të tij.


"Ndërsa ky ekip ka përvojë dhe arritje të pakrahasueshme, ai pasqyron gjithashtu idenë se ne nuk mund të përballojmë sfidat e sotme me mënyrën e vjetër të të menduarit. Për shembull, për herë të parë do të kemi një grua që udhëheq komunitetin e inteligjencës”, tha Presidenti i zgjedhur Biden.



Nëse miratohet nga Senati, Avril Haines, do të jetë drejtore e inteligjencës kombëtare.

Presidenti i zgjedhur caktoi gra për të shërbyer në pozita të rëndësishme si sekretare thesarit, ambasadore në Kombet e Bashkuara, drejtore e Zyrës për Menaxhim dhe Buxhet, dhe drejtuese e këshilltarëve të tij për ekonominë.

Ekipi i tij i komunikimit do të jetë i përbërë i gjithi nga gra, duke përfshirë sekretaren e shtypit Jen Psaki.

Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të sjellë ekipin e saj të grave, përfshirë Tina Flournoy si shefe të stafit.

Këto gra përfaqësojnë grupe të ndryshme ekonomike dhe racore. Disa prej tyre që vijnë nga familje emigrantësh dhe klasës punëtore.

Aktivistët thonë se diversiteti do të ndihmojë Joe Biden-in të realizojë përparësitë kryesore si barazia racore dhe gjinore.

“Ne po kërkojmë që ato të jenë në nivelet më të larta të qeverisë, jo vetëm sepse janë eksperte me përvojë por edhe sepse kanë eksperiencë në punën me komunitetet në mënyrë që të mund të marrin vërtetë vendimet më të mira në emër të popullit amerikan dhe komuniteteve që kanë më shumë nevojë për mbështetje”, tha Sarah Fleisch Fink nga organizata “Partneriteti kombëtar për Gratë dhe Familjet”.

Axhenda e zotit Biden për gratë përfshinë përmirësimin e sigurisë ekonomike përmes pagës së barabartë dhe dhënies fund të diskriminimit për shtatëzaninë, ekuilibrin e punës në familje duke përfshirë lejen prindërore dhe kujdesin ndaj fëmijëve, qasjen në kujdesin shëndetësor, fundin e dhunës në familje dhe fuqizimin e grave në të gjithë botën.

Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje shihet veçanërisht e rëndësishme në luftën që vendi po bën me pandeminë dhe përpjekjet për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Ne e pamë sa e rëndësishme ishte përshembull përfshirja e grave afrikano-amerikane në pozita drejtuese të shëndetit publik dhe në krye të bashkive të qyteteve të mëdha, pasi ishin ato që folën për ndikimin disproporcional të pandemisë tek ekonomitë e komuniteteve dhe grave afrikano-amerikane, ndërsa ato siguruan që politikat të pasqyronin këto sfida dalluese”, thotë Kelly Dittmar nga Qendra për Gratë amerikane dhe Politikat në Universitetin Rutgers.

Për të miratuar axhendën e tij ambicioze për gratë, presidenti i zgjedhur do të duhet të kapërcejë dallimet partiake në Kongres, ku partia e tij demokrate ka shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa republikanët mund të mbajnë kontrollin e Senatit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat