Kujtohet senatori që iu kundërvu mashtrimeve të korporatave

Amerika

Kujtohet senatori që iu kundërvu mashtrimeve të korporatave

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 00:13
Paul Sarbanes

Paul Sarbanes, demokrat nga Merilandi, i cili ka shërbyer në Kongresin amerikan për më shumë se tre dekada, u nda nga jeta të dielën në moshën 87vjeçare.

Ai kujtohet si një figurë aktive për pastrimin e Gjirit të Çesapikut, për presionin ndaj Presidentit Nikson për të dhënë dorëheqjen, si dhe për masat në mbrojtje të konsumatorëve pas skandaleve të keqmenaxhimit në një numër korporatash.

Ai u bë një zë i fuqishëm i kauzave liberale, por pa kërkuar reklamë e bujë për vete. Kongresmeni që kujtohet si një politikan që fliste pa dorashka, u nda nga jeta qetësisht, në Baltimorë, tha i biri, ligjvënësi John Sarbanes përmes një deklarate.

"Mik, frymëzim, model për shumë prej nesh në komunitetin greko-amerikan. Do ia ndjejmë mungesën,” tha zëvendës guvernatorja e Kalifornisë, Eleni Kounalakis me një postim në Twitter.

Sarbanes lindi në një familje imigrantësh grekë në Meriland më 3 shkurt 1933 dhe u diplomua si jurist në Universitetin Harvard në 1960.

Ai ishte për katër vjet anëtar i legjislaturës shtetërore, pasi kishte punuar jurist. Më pas u zgjodh në Kongresin amerikan në 1970 dhe në 1976 u zgjodh senator.

Pas rënies së madhe të bursës me falimentimin e kompanisë Enron dhe disa firmave të tjera të fuqishme si rezultat i skandaleve të shkaktuara nga keqmenaxhimi dhe mashtrimet në 2001 dhe 2002, Sarbanes, i cili në atë kohë kryesonte Komisionin e Senatit për Sektorin Bankar, bëri thirrje për rregullore më të forta mbikqyrëse.

Ai ndihmoi për miratimin e ligjit Sarbanes–Oxley të vitit 2002 që vendoste masa më të forta mbikqyrëse dhe ndëshkime më të ashpra për drejtuesit e korporatave që shkelnin ligjin.

Ai ishte senator për tre dekada dhe në vitin 2005, në moshën 72-vjeçare njoftoi se nuk do të vinte më kandidaturë.

“Nuk kam pasur ndonjëherë ndër mend të qëndroj në Senat deri kur të më nxjerrin me arkivol,” tha ai në njoftimin se po dilte në pension./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat