SHBA-ja në kërkim të sulmuesve të Kongresit

Amerika

SHBA-ja në kërkim të sulmuesve të Kongresit

Më: 7 janar 2021 Në ora: 22:40
Mbështetësit e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, shihen brenda në Kongres, ndërsa tymi mbush korridorin, 6 janar 2021, Uashington.

Policia e Kongresit në Uashington hodhi poshtë kritikat për dështim pas sulmeve vdekjeprurëse kur një turmë mbështetësish të zemëruar të presidentit Donald Trump hynë dhunshëm në Kongres një ditë më parë.

Zyrtarët amerikanë thanë se pas disa orësh do të ngrihet aktakuza e parë ndaj një personi. Ndërkohë, kreu i FBI-së, Christopher Wray, tha se agjentët e kësaj force po punonin në mënyrë të pandalur për të identifikuar dhe kapur ata që ishin përfshirë në dhunën një ditë më parë në lidhje me incidentet e papara në historinë moderne të SHBA-së.

Wray tha se FBI-ja po kërkon ndihmë nga publiku për të gjetur keqbërësit.

Një seancë e përbashkët e Kongresit për të vërtetuar fitoren e presidentit Demokrat të zgjedhur, Joe Biden, në votimin e nëntorit u ndërpre nga një protestë e dhunshme dhe detyroi ligjvënësit të largoheshin në një vend të sigurt. Para se të hynin në ndërtesë, turma e mbështetësve të Trumpit shpërtheu një kordon policie që mbronte ndërtesën e Kongresit, më 6 janar.

Skena u përshkrua nga anëtarët e të dy partive të mëdha amerikane si një sulm i paparë ndaj institucioneve demokratike. Dhuna nxiti reagime të shumta nga e gjithë bota.

Tashmë shumë pyetje janë ngritur se si siguria për qindra zyrtarë të lartë të zgjedhur në një nga ndërtesat më të ndjeshme të pushtetit të vendit dhe një simbol i demokracisë amerikane mund të ishte aq e pamjaftueshme, edhe pse më herët kishte informata për një tubim të planifikuar.

Kryetari i Uashingtonit, Muriel Bowser, tha se kishte ndodhur një dështim, përndryshe “nuk do të kishte njerëz që hynin në Kongres duke thyer dritaret dhe terrorizuar anëtarët e Kongresit, të cilët po bënin një punë të shenjtë."

Polici bën foto-selfie me protestuesin

Në një foto që ka qarkulluar në mediat sociale shihet një polic që bënte një foto-selfie me një nga protestuesit, policë të tjerë shiheshin duke mos bërë asnjë rezistencë. Policia lejoi shumë prej atyre që kishin hyrë ilegalisht brenda, të largoheshin pa asnjë pengesë.

Shefi i Policisë së Kongresit, Steven Sund, në deklaratën e tij të parë publike që nga incidenti, tha më 7 janar se nuk kishte asnjë informacion të agjencive të inteligjencës se do të ndodhte një dhunë e tillë.

Sund tha se oficerët e Policisë së Kongresit kishin "vepruar me guxim kur u përballën me mijëra individë të përfshirë në veprime të dhunshme të trazirave.”

Ai tha se protestuesit "sulmuan në mënyrë aktive" Policinë e Kongresit dhe oficerë të tjerë të zbatimit të ligjit me tuba metali, sprej irritues kimikë dhe "armë të tjera".

Katër persona vdiqën gjatë trazirave, duke përfshirë një grua që u qëllua nga policia brenda Kongresit. Policia konfirmoi në një deklaratë më 7 janar se emri i gruas 35-vjeçare ishte Ashli Babbitt, një veterane e Forcave Ajrore të SHBA-së dhe mbështetëse e Trump.

Policia e Kongresit, që ka për detyrë të mbrojë Kongresin, iu drejtua forcave të tjera të rendit për ndihmë pasi protestuesit kishin hyrë në ndërtesë dhe detyruan ligjvënësit të fshiheshin.

Ngrihen aktakuzat e para

Përfaqësuesi Val Demings (demokrat nga Florida), një ish-shef policie, tha se ishte një "dhimbje e qartë" që Policia e Kongresit "nuk ishte e përgatitur".

Demings tha se ai ka pritur një "shfaqje më të fortë të forcës" dhe tha se "nuk dukej se ata kishin një plan të qartë operacional për t'u marrë me problemin".

Policia e Kongresit tha se 14 persona janë arrestuar, shumica prej tyre për hyrje të paligjshme, ndërsa policia në Uashington D.C., tha se ata kishin kryer 68 arrestime.

Më shumë se 50 oficerë policie të Kongresit dhe D.C-së u raportuan të plagosur, duke përfshirë edhe ata të cilët u shtruan në spital për t’u shëruar

Sund tha se një oficer policie i Kongresit mbetet i shtruar në spital si rezultat i një rrahjeje nga një protestues i dhunshëm.

Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Jeffrey Rosen, tha më 7 janar se disa prej autorëve të dyshuar do të përballen me akuza gjatë ditës dhe se prokurorët dhe autoritetet federale vazhdojnë të mbledhin prova dhe të përpiqen t'i identifikojnë të dyshuarit.

"Departamenti i Drejtësisë është i përkushtuar të sigurojë që ata që janë përgjegjës për këtë sulm ndaj qeverisë sonë dhe sundimit të ligjit, të përballen me pasojat e plota të veprimeve të tyre sipas ligjit," tha Rosen duke shtuar se: "Disa pjesëmarrës në dhunën e djeshme do të akuzohen sot"./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat