Një projekt arti që nderon infermieret e Nju Jorkut

Amerika

Një projekt arti që nderon infermieret e Nju Jorkut

Më: 25 janar 2021 Në ora: 06:19
Ilustrim

Illustruesja dhe shkrimtarja e temave që lidhen me modën Rebecca Moses nga Nju Jorku, ka vendosur t’u japë si dhuratë infermierëve një projekt arti mbi karantinën në qytet. Përmes artit të saj ajo dëshiron t’i falenderojë ato për angazhimin gjatë pandemisë së koronavirusit.

Fotografitë e saj mund të ndihmojnë në gjurmimin e karantinës në qytetin e Nju Jorkut, të shkaktuar nga koronavirusi. Secili portret përfaqëson një kapitull të veçantë të kësaj periudhe.

"Vajza (në këtë portret) ka ca kokoshka dhe një shishe verë. Ajo jep lajmet vazhdimisht në televizion, e ulur, me pizhame, dhe shikon televizor gjatë gjithë kohës."

Rebecca Moses është ilustruese arti dhe shkrimtare e njohur e temave të modës. Pandemia ndryshoi planet e saj për vitin 2020, ashtu si ato të miliona njerëzve të tjerë në të gjithë botën. Në këtë kohë ajo vendosi të përqëndronte vëmendjen tek lapsi dhe humori i saj.

“Kjo është shpina e një vajze që ishte në një takim virtual. Ky është qeni i saj. Kjo tjetra kalonte kohën e pandemisë së Covid-19 duke lexuar. Ka shumë punime dhe histori që më pëqejnë”, thotë ajo.

Zonja Moses u kërkoi ndjekësve të saj në Instagram të dërgonin historitë e tyre të pandemisë në këmbim të një portreti. Ajo mori një valë përgjigjesh nga e gjithë bota.

"Mendoj se edhe kjo vajzë ishte ruse", thotë ajo.

Asaj i erdhën histori nga njerëz të ndryshëm, shitës, punonjës të industrisë së modës, punonjës federalë, filantropë, mësues dhe diplomatë.

"Kjo është një zonjë e famshme, quhet Nicole Fischelis! Nuk e kishte pastruar vetë banesën prej kaq shumë vitesh, dhe u detyrua t’i thoshte pastrueses që mos i vinte më në shtëpi. Ajo u detyrua të mësonte se si të përdorte fshesën me korrent. Kjo është Mercedes Salazar. Gjatë muajve të parë të koronavirusit partneri i saj vdiq. Ajo duhej të vinte në Nju Jork, në Sloan Kettering për të kaluar me të ditët e tij të fundit. Kjo grua e re është nga Barcelona. Ajo pati një fëmijë që i lindi herët."

Qindra gra nga katër deri në njëqind vjeç, përfshirë infermieren Linda Valendino u bënë pjesë e projektit të zonjës Moses.

Një nga pikturat kryesore të projektit ishin portretet e infermiereve të spitalit Mount Sinai në Nju Jork.

"Rebecca pikturoi 46 infermiere që punonojnë në rrjetin e spitaleve Mount Sinai. Pra të gjitha infermieret në secilin prej spitaleve të sistemit tonë. Me aq sa di kjo nuk është bërë kurrë më parë", thotë Linda Valentino, infermiere në spitalin Mount Sinai të Nju Jorkut.

Linda Valentino ishte infermierja e vetme që zonja Moses e pikturoi të veshur në uniformë, infermieret e tjera u pikturuan me rroba plot ngjyra.

"Të gjitha portretet do të shërbejnë si dëshmi e punës së këtyre grave të shquara nga të gjitha grupet etnike dhe me biografi të ndryshme, të gjitha me specialitete të ndryshme", thotë Rebecca Moses.

Zonja Moses ia ka dhënë të gjitha portretet spitalit Mount Sinai, ku ato janë të varura sot, duke shtuar një larmi ngjyrash dhe një fije shprese për jetën pas pandemisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat