Austin vlerëson Gjermaninë si mikpritëse e trupave të SHBA

Amerika

Austin vlerëson Gjermaninë si mikpritëse e trupave të SHBA

Më: 28 janar 2021 Në ora: 00:35
Lloyd Austin

Sekretari i ri amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin vlerësoi Gjermaninë si mikpritëse e trupave amerikane, duke nxitur spekulime se Presidenti Joe Biden mund të përmbysë një urdhër të paraardhësit të tij Donald Trump për tërheqjen e tyre.

Ai i bëri komentet të mërkurën, gjatë një telefonate me homologen e tij gjermane.

Sekretari Austin planifikon të kryejë një rishikim global të pozicionimit të trupave amerikane, i cili do të përfshinte urdhrin e zotit Trump vitin e kaluar për të tërhequr përfundimisht rreth një të tretën e kontigjentit amerikan me 34,000 trupa në Gjermani.

Vitin e kaluar, ish-Presidenti Trump fajësoi aleaten e ngushtë të SHBA se nuk po përmbushte objektivin e shpenzimeve të NATO-s për mbrojtjen dhe e akuzoi atë se po përfitonte në tregti në kurriz të SHBA. Ai deklaroi në atë kohë se "Ne nuk duam të jemi më budallenj".

Austin ndryshon qëndrim

"Sekretari Austin shprehu mirënjohjen e tij ndaj Gjermanisë, që vazhdon të shërbejë si mikpritëse e shkëlqyer e forcave të SHBA," tha Pentagoni në një deklaratë pas telefonatës së sekretarit Austin me Ministren gjermane të Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer.

Sipas planit të ish-Presidentit Trump, diçka më pak se 6,000 nga rreth 12,000 trupat amerikane që do të tërhiqen nga Gjermania do të ripozicionohen në rajonin e Detit të Zi dhe një pjesë mund të vendosen përkohësisht në Balltik.

Forcat e tjera që largohen nga Gjermania do të transferoheshin përgjithmonë në Itali dhe selia evropiane e ushtrisë amerikane do të zhvendosej nga Shtutgarti i Gjermanisë për në Belgjikë.

Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se zoti Austin e siguroi ministren Kramp-Karrenbauer se çfarëdo që Shtetet e Bashkuara të bëjnë në të ardhmen, do ta bëjnë në konsultim me Gjermaninë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat