Ekspertët: Rimëkëmbja e ekonomisë amerikane fillon në mes të 2021

Amerika

Ekspertët: Rimëkëmbja e ekonomisë amerikane fillon në mes të 2021

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 00:04
Ilustrim

Ekonomia amerikan do të vazhdojë të rritet me ritme normale gjatë dekadës së ardhshme, duke filluar nga mesi i këtij viti, sapo të vihet nën kontroll pandemia, thanë të hënën analistët ekonomikë në Kongres.

Zyra jopartiake e Kongresit për Buxhetin, tha se me vaksinimin e miliona amerikanëve kundër virusit, “zgjerimi ekonomik që filloi në mes të 2020 do të vazhdojë” deri në 2031.

Zyra e Kongresit për Buxhetin tha se ekonomia amerikane me një aktivitet prej 20.8 trilionë dollarësh, më e madhja në botë, “parashikohet të kthehet në nivelet para pandemisë dhe të rritet edhe më shumë”.


Zyra e Kongresit për Buxhetin parashikon se ritmet e papunësisë që arritën në 6.7% në dhjetor, do të fillojnë të bien gradualisht deri në vitin 2026 dhe se numri i të punësuarve do të arrijë në vitin 2024 në nivelet e periudhës para pandemisë.

Zyrtarët e agjencive të punësimit thonë se 10 milionë, nga 22 milionë amerikanë që humbën punën nga pandemia, ende nuk kanë gjetur punë.

Kongresi miratoi vjet afro 4 trilionë dollarë ndihma për të mbështetur ekonominë dhe për t’iu përgjigjur pandemisë. Presidenti Joe Biden ka propozuar një shumë shtesë prej 1.9 trilionë dollarësh për të ndihmuar individë dhe biznese, si dhe për të fuqizuar programin e vaksinimit, megjithëse një grup prej 10 senatorësh republikanë kanë propozuar një plan alternativ prej vetëm 618 miliardë dollarësh.

Presidenti Biden dhe ligjvënës republikanë u takuan të hënën për të diskutuar planet e tyre përkatëse./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat