SHBA, hetohet incidenti me migrantët të bllokuar në kamion

Amerika

SHBA, hetohet incidenti me migrantët të bllokuar në kamion

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 20:18
SHBA

Autoritetet amerikane po hetojnë njoftimet se rreth 80 migrantë mund të ishin bllokuar të hënën në një kamion cisternë dhe nuk po merrnin dot frymë, tha sot një zyrtar i agjencisë së Imigracionit dhe Doganave (ICE).

Zyrtari tha se autoritetet po hetojnë disa thirrje telefonike në numrin e emergjencës 911 të bëra të hënën në afërsi të San Antonios në Teksas.

Gjatë njërës prej telefonatave, një person dallohej duke marrë frymë me vështirësi ndërsa dikush tjetër thërriste "ndihmë" në spanjisht, sipas një regjistrimi. Në sfond mund të dëgjoheshin të tjerë që ankoheshin.

Njësia hetimore e agjencisë po përpiqet të mësojë nëse incidenti mund të ketë patur lidhje me trafikim personash, tha zyrtari.

"Në vështrim të parë, është të paktën kontrabandë personash", tha zyrtari, i cili kërkoi të mos identifikohej.

Hetimi vjen ndërsa arrestimet e migrantëve në kufirin SHBA-Meksikë janë rritur pas rënies së ndjeshme me fillimin e pandemisë së koronavirusit.

Zyrtarët amerikanë në janar ndeshën në gati 78,000 migrantë që përpiqeshin të kalonin kufirin jugor në mënyrë të paligjshme ose të cilëve u ishte mohuar hyrja në pikat e kalimit kufitar, një rritje prej 6 përqind krahasuar me muajin e kaluar.

Në njërën nga telefonatat, një persona tha se një kamion i bardhë me rreth 80 njerëz brenda ishte ndalur në anë të autostradës, sipas një regjistrimi të marrë nga stacioni televiziv KABB, një degë e kanalit Fox.

Sherifi i Qarkut Bexar Javier Salazar, e përshkroi telefonatën kështu: "Të copëtohej zemra kur i dëgjoje, sepse prapa telefonuesit në sfond, dëgjoheshin qartë të tjerët që thërrisnin për ndihmë në spanjisht, duke thënë se nuk po merrnin dot frymë.”/VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat