Amerikanët festojnë Ditën e Presidentëve

Amerika

Amerikanët festojnë Ditën e Presidentëve

Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 17:37
Foto

Amerikanët përkujtojnë sot Ditën e Presidentëve, një festë federale që nderon të gjithë presidentët amerikanë.

Dita festohet të hënën e tretë të shkurtit, muajin e lindjes së dy presidentëve më të shquar të vendit, George Washington, presidenti i parë i kombit dhe Abraham Lincoln, i cili udhëhoqi vendin përmes Luftës Civile.

Një pjesë e amerikanëve e kanë ditën e sotme pushim, sikurse punonjësit federalë, por shumë prej tyre jo.

Gjatë kësaj feste shumë kompani ofrojnë ulje të artikujve që tregtojnë.

Këtë vit një shtëpi ankandi me bazë në Boston, "RR Auction", pritet të nxjerrë në ankand relike që u takojnë disa presidentëve.

Gati 300 objekte presidenciale do të ofrohen në një ankand që do të zhvillohet në internet, mes tyre një triko e kuqërremtë e universitetit të Harvardit të cilën e vishte Presidenti John F. Kennedy, një tufë flokësh e Presidentit Uashington dhe një fotografi e nënshkruar nga Presidenti Lincoln.

Ankandi përfshin gjithashtu dokumente nga shumë presidentë, përfshirë John Quincy Adams, James Madison dhe Ulysses S. Grant.

Dita e Presidentëve e ka fillimin e saj tek festimet me rastin e ditëlindjes së Presidentit Uashington më 22 shkurt të çdo viti.

Kongresi e shndërroi atë në një festë federale në 1968 dhe gjithashtu e zhvendosi atë në të hënën e tretë të shkurtit.

Në atë kohë, disa argumentuan se festa duhet të përfshinte ditëlindjen e Presidentit Linkoln, më 12 shkurt si dhe të riemërtohej nga Ditëlindja e Uashingtonit në Ditën e Presidentëve.

Aso kohe ligjvënësit e refuzuan këtë ide dhe festa quhet ende zyrtarisht Ditëlindja e Uashingtonit. Sidoqoftë, dita tashmë njihet zakonisht si Dita e Presidentëve dhe shihet nga pjesa dërrmuese e amerikanëve si një festë që përkujton të gjithë presidentët e vendit./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat