Shtëpia e Bardhë: Duhet bërë gjithçka për të ndalur ebolën

Amerika

Shtëpia e Bardhë: Duhet bërë gjithçka për të ndalur ebolën

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 22:29
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki

Administrata e Presidentit Biden të martën tha se duhet bërë gjithçka që është e mundur për të ndalur shpërthimet e ebolës në Afrikë, para se ato të kthehen në epidemi të mëdha.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha gjithashtu në një deklaratë se SHBA do të bëjnë gjithçka munden për të siguruar rolin udhëheqës amerikan që shpërthimet e ebolës të ndalen.

"Ne nuk mund të heqim këmbën nga pedali, edhe pse po luftojmë me COVID-in; ne duhet të sigurojmë kapacitetet dhe financimin për sigurinë shëndetësore në të gjithë botën," tha ajo.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka kërkuar gjashtë vendeve afrikane që të jenë vigjilente për infeksionet e mundshme të ebolës.

Thirrja erdhi pasi Guinea raportoi të martën raste të reja dhe Republika Demokratike e Kongos tha se infeksionet e saj të reja ishin rigjallërim i një shpërthimi të mëparshëm.

Guinea deklaroi të dielën një shpërthim të virusit, hera e parë që ebola rikthehet atje që nga shpërthimi i viteve 2013-2016, ndërsa Kongoja ka konfirmuar katër raste të reja këtë muaj.

Autoritetet shëndetësore po nxitojnë për t'iu përgjigjur rasteve në Guine, të shqetësuar për një përsëritje të shpërthimit në Afrikën Perëndimore, ku ebola u mori jetën më shumë se 11,300 njerëzve, kryesisht në Guine, Sierra Leone dhe Liberi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat