Vazhdojnë problemet nga stuhia dimërore në Teksas

Amerika

Vazhdojnë problemet nga stuhia dimërore në Teksas

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 06:21
Ilustrim

Teksasi po përballet me temperaturat më të ulëta të regjistruara në 30 vitet e fundit. Miliona banorëve të Teksasit u është rikthyer furnizimi me energji por tani ata po përballen me një sfidë të re: mungesa e ujit të pijshëm dhe të sigurt.

I ftohti ekstrem që u shoqërua me rreshja të mëdha bore vazhdon të shkaktojë probleme në shtetin e Teksasit duke lënë miliona qytetarë në mungesë të ujit të pijshëm.

Ky shtet që normalisht njihet për thatësi dhe temperatura të larta kohëve të fundit është goditur nga temperatura shumë të ulëta e të papara që shkaktuan ngrica dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Megjithëse në shumë vende, furnizimi me energji është rikthyer dhe bora ka filluar të shkrihet, shteti vazhdon të përballet me sdida të reja.

Më shumë se 300 mijë banorë kryesisht në Teksas, Luiziana dhe Misisipi edhe të shtunën ishin pa furnizim me energji dhe ngrohje ndërsa pa furnizim me ujë vazhdojnë të jenë rreth 14,3 milionë banorë.

Sequoia Phillips, nënë e vetme e dy fëmijëve thotë se ndodhet në një situatë të rënduar.

Nga mesi i javës ajo u kthye në shtëpinë e saj, nga e cila u largua pas ndërprerjes me energji elektrike dhe ngrohje.

“Tani, nuk di nga t’ia filloj. Unë kam një familje dhe duhet të shpëtoj atë që mundem. Por çfarë të paketoj, çfarë të shpëtoj?”, thotë ajo.

Ajo thotë se dëmet e shkaktuara e ka të pamundur t’i riparojë me të ardhurat që ka.

“Ndërsa po qëndroja përjashta shihja shtëpinë të shkatërrohej. Kjo është dhoma e djalit të vogël, E kam pastruar. Ai ka njp vrimë të madhe në të. Tavani është shembur duke rënë mbi dollapin e tij”, thotë zonja Phillips.

Zonja Philips është një nga shumë banorë të Teksasit që kërkojnë ndihmë.

Presidenti Joe Biden ka shpallur gjendjen e katastrofës natyrore në Teksas, duke urdhëruar agjencitë federale të ndihmojnë në përpjekjet e rimëkëmbjes.

Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave është duke ofruar ndihma për 77 komuna për të ndihmuar me fonde për strehimin, riparimin dhe mbulimin e dëmeve në shtëpi që nuk kishin sigurim.

Në të gjithë vendin, të paktën 70 persona humbën jetën për shkak të motit të ftohtë. Rreth gjysma e këtyre vdekjeve ndodhën në Teksas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat