Shtetet e Bashkuara sanksionojnë zyrtarë ushtarakë të Mianmarit

Amerika

Shtetet e Bashkuara sanksionojnë zyrtarë ushtarakë të Mianmarit

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 15:29
Ilustrim

Departamenti amerikan i Thesarit, u vuri sanksione dy zyrtarëve të tjerë ushtarakë të Mianmarit në përgjigje ndaj vrasjes së protestuesve paqësorë.

Masat që u shpallën të hënën vonë vunë në shënjestër dy gjeneralët e ushtrisë së Mianmarit, Moe Myint Tun dhe Maung Maung Kyaw.

Një deklaratë e Departamentit të Thesarit i bëri thirrje ushtrisë së Mianmarit që të rivendosë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të vendit ose të përballet me veprime të mëtejshme.

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjithë rajonin dhe në botë për të ushtruar trysni mbi ushtrinë dhe policinë e Burmës për t’i dhënë fund dhunës kundër protestuesve paqësorë, për të mbështetur rivendosjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit, për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të të burgosurve politikë, duke përfshirë zonjën Aung San Suu Kyi dhe presidentin Win Myint dhe për të kërkuar llogari nga ata që janë përgjegjës për përpjekjen për të zmbrapsur përparimin e Burmës drejt demokracisë”, thuhet në deklaratë.

Më herët gjatë këtij muaji, Departamenti i Thesarit zbatoi sanksione për 10 zyrtarë ushtarakë.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, gjithashtu dënoi grushtin e shtetit dhe "dhunën e papranueshme kundër demonstruesve paqësorë".

Ai tha të hënën se ministrat e BE-së kanë rënë dakord për një sërë masash të synuara, duke përfshirë zbatimin e sanksioneve kundër personaliteteve ushtarake përgjegjëse për grushtin e shtetit.

Zoti Borrell tha gjithashtu se BE-ja do të ndërpresë të gjithë mbështetjen e drejtpërdrejtë financiare për programet e reformës qeveritare në Mianmar. Por ai tha se masat nuk do të ndikonin tek qytetarët e Mianmarit dhe se BE-ja do të "vazhdojë të mbështes shoqërinë civile dhe të sigurojë shërbimet themelore"./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat