Senati shqyrton dhunën e 6 janarit në Kapitol

Amerika

Senati shqyrton dhunën e 6 janarit në Kapitol

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 23:10
Senati shqyrton dhunën në Kapitol

Një paralajmërim i FBI-së se protesta e mbështetësve të Donald Trumpit mund të kthehej në dhunë arriti në policinë e Kapitolit një ditë para sulmit vdekjeprurës, por zyrtarët e lartë të ngarkuar me sigurimin e Kongresit, u thanë të martën ligjvënësve se nuk e kishin parë paralajmërimin atë ditë.

Zyrtarët thanë para dy komisioneve të Senatit, që po hetojnë rreth problemeve përpara sulmit të 6 janarit, se informacionet e vëzhgimit që morën nuk i përgatitën ata për faktin që Kapitoli do të sulmohej nga qindra mbështetës të ish-presidentit Trump, shumë prej të cilëve të pajisur me mjete taktike.

Ata treguan variante kontradiktore të bisedave përpara ngjarjes rreth dilemës se a duhej kërkuar mbështetja e Gardës Kombëtare dhe se çfarë roli luajti në problemet e sigurisë dëshira për ta mbajtur Kapitolin një mjedis të hapur, pa përforcime të ushtrisë dhe policisë.

Ish-shefi i Policisë së Kapitolit Steven Sund, u tha senatorëve se ai nuk pa ndonjë njoftim emergjent të lëshuar nga zyra e FBI-së në Norfolk të Virxhinias më 5 janar që të paralajmëronte agjencitë ligjzbatuese se ekstremistët po përgatiteshin për dhunë.

"Asnjë nga informacionet që morëm nuk parashikoi atë që ndodhi në të vërtetë", tha Sund, duke iu referuar skenave në të cilat mbështetësit e ish-presidentit Trump sulmuan policinë, thyen dritare dhe hynë në Kapitol duke thirrur: "Të varet Mike Pence".

Image
Capitol Hill 

"Ne planifikuam siç duhet për një demonstratë masive me dhunë të mundshme," tha Sund. "Ajo që ndodhi ishte një sulm i koordinuar i stilit ushtarak ndaj oficerëve të mi dhe marrje me dhunë e ndërtesës së Kapitolit."

Sulmi ishte një përpjekje për të penguar Kongresin dhe ish Nënpresidentin Pence të çertifikonin fitoren në zgjedhje të demokratit Joe Biden ndaj republikanit Trump, i cili pretendonte pa fakte se zgjedhjet ishin kompromentuar nga mashtrime të shumta.

Ish zyrtarët përgjegjës për sigurinë e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, Paul Irving dhe Michael Stenger, gjithashtu dëshmuan, duke thënë se ata nuk e kishin parë paralajmërimin e FBI-së.

Të tre dhanë dorëheqjen si pasojë e dhunës, e cila tronditi botën, kërcënoi kalimin paqësor të pushtetit dhe rrezikoi jetën e ligjvënësve si dhe të zotit Pence, duke u bërë gjithashtu shkak për një gjyq të dytë të ish-presidentit Trump në Senat.

Shqetësime për pamjen e jashtme?

Ndërtesa e Kapitolit, ku kanë selinë 535 anëtarët e Kongresit, ka qenë prej kohësh e hapur për vizitorët dhe të ftuarit ndryshe nga Shtëpia e Bardhë. Kalimtarët mund të ecnin deri te shkallët e ndërtesës dhe përpara pandemisë COVID-19 ajo ishte akoma e hapur për turistët, të cilët futeshin aty përmes një hyrjeje të veçantë për vizitorët.

Zoti Sund tha se në një bisedë me Irving dhe Stenger dy ditë para trazirës, ai kishte kërkuar që trupat e Gardës Kombëtare të silleshin në Kapitol, por Irving kishte shprehur shqetësim në lidhje me "përshtypjen" që do të krijonte vendosja e trupave.

Irving tha megjithatë se nuk e mbante mend bisedën si një kërkesë për trupa dhe e mohoi prerazi se kishte qenë i shqetësuar për çështjen e perceptimit.

"Ne diskutuam nëse informacioni i zbulimit e justifikonte vendosjen e trupave në Kapitol. Gjykimi kolektiv në atë kohë ishte ‘jo, nuk e justifikonte’," tha zoti Irving përpara komisioneve.

Sund dhe Irving gjithashtu treguan variante llogari kontradiktore për komunikimin e tyre në ditën kaotike të sulmit. Sund tha se ai e kishte telefonuar Irving në 1:09 pasdite. për të kërkuar trupa të Gardës Kombëtare ndërsa turma po përleshej me Policinë e Kapitolit në barrierat prej çeliku jashtë ndërtesës. Irving tha se në ato momente nuk ishte bërë ndonjë telefonatë.

"Duket se ekziston një konfuzion në lidhje me faktet themelore dhe kush kërkoi çfarë, ose kur", tha senatori republikan Josh Hawley. Senatorët kërkuan tabulatet telefonike.

Policia metropolitane e Uashingtonit nxitoi për në vendin e ngjarjes pasi Sund kërkoi ndihmën e saj në orën 12:58 pasdite, u tha senatorëve shefi në detyrë i policisë i qytetit, Robert Contee.

Forcat e tij ndihmuan policinë e Kapitolit të kontrollonte turmën dhe përfundimisht të spastronte Kapitolin në mënyrë që ligjvënësit të ktheheshin për të çertifikuar fitoren e zotit Biden.

Por Contee tha se ishte tronditur nga një telefonatë rreth orës 2:22 pasdite, kur dëgjoi Sundin duke iu lutur zyrtarëve të Pentagonit që të sillnin Gardën Kombëtare.

Zyrtarët e ushtrisë ngurruan, duke shprehur shqetësime se si do të perceptohej kjo, tha Contee, duke shtuar, "Unë u shtanga nga përgjigjja."

Anëtarët e parë të Gardës Kombëtare u dukën në territorin e Kapitolit jo më parë se ora 5:40 pasdite, tha Sund.

Në njoftimet e mediave amerikane u tha se udhëheqësit e kongresit dhe zyrtarët e sigurisë nuk kishin dashur të shihnin të njëjtën prani të militarizuar rreth Kapitolit që ishte parë rreth Shtëpisë së Bardhë gjatë protestave anti-racizëm në muajt e verës.

Shumë policë u sulmuan gjatë përleshjeve. Mbi 140 policë të Kapitolit dhe rreth 65 metropolitanë u plagosën.

Më shumë se 200 njerëz janë akuzuar deri tani për rolin e tyre në trazirat e 6 janarit, përfshirë disa të lidhur me grupe të ekstremit të djathtë si “Oath Keepers” dhe “Proud Boys”.

Senatorët planifikojnë të thërrasin javën e ardhshme dëshmitarë nga FBI-ja, Departamenti i Mbrojtjes dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Senatori demokrat Gary Peters tha se incidenti zbuloi boshllëqe të qarta që ekzistojnë në informacionet për ekstremistët vendas: "Qeveria federale duhet të fillojë t'i marrë seriozisht këto kërcënime në internet, që ata të mos shndërrohen në dhunë reale,” tha ai. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat