Burimet: SHBA sanksione ndaj Rusisë për helmimin e Navalnit

Amerika

Burimet: SHBA sanksione ndaj Rusisë për helmimin e Navalnit

Më: 2 mars 2021 Në ora: 14:31
Aleksei Navalni

Shtetet e Bashkuara pritet të vendosin sot sanksione për të ndëshkuar Rusinë për helmimin e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalni. Lajmi u bë i ditur nga dy burime në dijeni të çështjes.

Vendimi i Presidentit Joe Biden për të vendosur sanksione në përgjigje të helmimit të zotit Navalni pasqyron një qëndrim më të ashpër sesa ai i paraardhësit të tij, Donald Trump, i cili e la incidentin që ndodhi gushtin e kaluar të kalonte pa veprime ndëshkuese nga ana e SHBA-së.

Kremlini tha të martën se çdo sanksion i ri amerikan mbi trajtimin e zotit Navalni nuk do ta arrinte qëllimin dhe se thjesht do të përkeqësonte marrëdhëniet e tensionuara tashmë mes dy vende. Zoti Navalni u sëmur ndërsa po udhëtonte me avion në Siberi në muajin gusht.

Ai u dërgua në Gjermani, ku mjekët arritën në përfundimin se ishte helmuar me një agjent nervor. Kremlini ka mohuar të ketë patur lidhje me incidentin dhe ka thënë se nuk ekziston asnjë provë se ai ishte helmuar.

Burimet thanë të hënën në kushte anonimiteti se Shtetet e Bashkuara pritej të vepronin nën dy urdhra ekzekutivë: atë me numër 13661, i cili u lëshua pas pushtimit të Krimesë nga ana e Rusisë e që siguron autoritet të gjerë për të vënën nën shënjestër zyrtarët rusë, si urdhrin me numër 13382, lëshuar në vitin 2005 për të luftuar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Të dy urdhrat lejojnë që Shtetet e Bashkuara të ngrijnë pasuritë në SHBA të atyre që janë objektiv i saksioneve si dhe në mënyrë efektive të ndalojnë kompanitë amerikane apo individët të kryejnë biznes me ta.

Burimet thanë se administrata e zotit Biden planifikon gjithashtu të veprojë nën ligjin amerikan për Kontrollin e Armëve Kimike e Biologjike dhe Aktin për Eliminimit e Konflikteve i vitit 1991, i cili parashikon një seri masash ndëshkimore. Burimet thanë se disa individë do të ishin në shënjestër të sanksioneve që do të shpallen që të martën, por nuk i bënë të ditur emrat e tyre apo sanksionet që do t’u vendosen.

Departamenti amerikan Shtetit nuk i është përgjigj ende një kërkese për komente mbi mundësinë e sanksioneve. Një burim i tretë tha se veprimi i SHBA-së mund të koordinohet me sanksionet që Bashkimi Evropian mund të fillojë t'i zbatojë prej ditës së martë./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat