SHBA, Merck bashkon forcat me J&J për të shtuar prodhimin e vaksinave

Amerika

SHBA, Merck bashkon forcat me J&J për të shtuar prodhimin e vaksinave

Më: 3 mars 2021 Në ora: 00:22
Merck

Gjigandi farmaceutik amerikan, Merck ka pranuar të ndihmojë për prodhimin e vaksinës së re të rivalit të tij, Johnson & Johnson në përpjekje për të shtuar sasinë e vaksinave për imunizimin kundër koronavirusit të një numri sa më të madh amerikanësh brenda pak muajsh, tha të martën Shtëpia e Bardhë.

Johnson & Johnson ka ndeshur në probleme të papritura në prodhim, pasi mori autorizimin për përdorim emergjent të vaksinës së tij javën e kaluar. Kompania ka prodhuar deri tani 3.9 milionë doza por thotë se mund të prodhojë deri në 100 milionë doza brenda muajit qershor.

Zyrtarë që janë informuar mbi marrëveshjen thonë se Merck do të përdorë dy objekte prodhimi në SHBA, njëri për prodhimin e vaksinës, tjetri për mbushjen e ampulave me vaksinë dhe paketimin për shpërndarje.

Marrëveshja me kompaninë Merck mund të rrisë ndjeshëm sasinë e vaksinave të kompanisë Johnson and Johnson që shpërndahen për imunizim, thonë zyrtarët.

Merck dështoi në përpjekjet e tij për të zhvilluar vetë një vaksinë kandidate, por kjo kompani ka një histori të gjatë në prodhimin e vaksinave. Kjo është kompania e vetme amerikane që prodhon vaksinën koktejt kundër shytave, fruthit dhe rubelës. Ajo ka zhvilluar gjithashtu vaksinën Gardasil kundër virusit që shkakton kancer të organeve gjenitale. Kjo kompani siguroi në 2019 miratimin nga autoritetet federale të vaksinës së saj kundër Ebolës.

Me miratimin e vaksinës me një dozë të Johnson & Johnson kundër COVID-19, SHBA ka tani tre vaksina të aprovuara në luftën kundër koronavirusit. Vaksinat e Pfizer-BioNTech dhe Modernës kërkojnë dy doza për imunizim.

Pasi autoritetet federale miratun vaksinën e Johnson & Johnson, kompania tha se do të shpërndante menjëherë 4 milionë doza në SHBA dhe një total prej 20 milionë dozash brenda marsit. Kjo shifër është thuajse sa gjysma e sasisë fillestare që kishte parashikuar të prodhonte kompania, megjithëse Johnson & Johnson shpreson ta intensifikojë prodhimin në muajt në vazhdim.

Një zyrtar i lartë i kompanisë Johnson & Johnson tha në dëshminë para ligjvënësve javën e kaluar se shpreson që kompania të prodhojë 1 miliard doza në shkallë globale brenda këtij viti.

Imunizimet në masë në SHBA kanë filluar me punonjësit e shërbimeve jetike, të moshuarit, si dhe personat mbi 65 vjeç apo ata që kanë probleme ekzistuese shëndetësore.

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë shpresojnë se në vend do të kthehet një klimë normaliteti brenda këtij viti, por kjo varet në masë të madhe nga vaksinimi i të rriturve dhe mundësisht më pas i fëmijëve.

Deri tani, janë bërë 75 milionë doza vaksine që përfaqësojnë rreth 15% të popullatës në SHBA. Afro gjysma e tyre kanë bërë tashmë të dyja dozat e nevojshme të vaksinave të Pfizer apo Modernas. Afërsisht bëhen 1.7 milionë vaksinime në ditë.

Ritmet e përhapjes së sëmundjes kanë rënë në SHBA. Megjithatë, çdo ditë diagnostikohen 50,000-60,000 raste të reja dhe regjistrohen mesatarisht 1,500 viktima nga sëmundja.

Shtetet e Bashkuara kanë diagnostikuar në total 28.6 milionë të infektuar dhe mbi 515,000 viktima, duke kryesuar në botë në të dyja këto indekse, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat