Wray: Sulmi i 6 janarit, terrorizëm i brendshëm

Amerika

Wray: Sulmi i 6 janarit, terrorizëm i brendshëm

Më: 3 mars 2021 Në ora: 20:30
Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve Christopher Wray

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve Christopher Wray u tha ligjvënësve amerikanë të martën se sulmi i 6 janarit në Kongres nga mbështetësit e Trumpit që përpiqeshin të përmbysnin fitoren e Joe Bidenit në zgjedhje, ishte terrorizëm i brendshëm. Zoti Wray pranoi se FBI-ja kishte marrë sinjale paraprake se atë ditë do të kishte dhunë.

Për herë të parë që nga trazirat e 6 janarit në Kongres, një nga zyrtarët më të lartë të zbatimit të ligjit në vend u tha ligjvënësve të martën se sulmi ishte terrorizëm i brendshëm - i nxitur në një masë të madhe nga grupe supremaciste që përbëjnë kërcënim serioz për vendin.

"Ka qenë një nga rastet më të spikatura të ekstremizmit të dhunshëm racor dhe rasti më flagrant i terrorizmit të brendshëm. Sulmi më vdekjeprurës gjatë dekadës së fundit ka qenë nga të njëjtët ekstremistë”, tha zoti Wray.

Në dëshminë e tij të parë që nga 6 janari, zoti Wray tha se protestuesit vinin nga një gamë e gjerë grupesh që mbështesin supremacinë dhe dhunën milicore - dhe se nuk ka asnjë provë lidhur me pretendimet se ata nuk ishin mbështetës të vërtetë të Trumpit apo se ishin protestues të majtë të maskuar.

"Ne u kushtojmë vëmendje të barabartë ekstremizmave të dhunshëm të çfarëdo ideologjie, por deri më sot nuk kemi parë ndonjë provë të ekstremistëve të dhunshëm anarkistë ose njerëzve të Antifas në lidhje me 6 janarin. Kjo nuk do të thotë se ne nuk po hetojmë, por për momentin nuk e kemi parë këtë”, tha zoti Wray.

Më shumë se 270 njerëz janë akuzuar deri tani për rolin e tyre në atë sulm dhe hetimet e FBI-së janë duke u zgjeruar, tha zoti Wray.

"Me subjekte që po identifikohen dhe akuzohen pothuajse përditë, FBI-ja është e përkushtuar të vazhdojë hetimin, pa marrë parasysh sa njerëz do të duhen", tha zoti Wray.

Shumë republikanë argumentojnë se kërcënimi i terrorizmit të brendshëm është i njëjtë ose më i rrezikshëm me veprimet e ndërmarra nga ekstremistët të krahut të majtë siç është Antifa… duke cituar djegien e një gjykate federale në qytetin Portland të Oregonit verën e kaluar.

"Vitin e kaluar pamë trazira dhe dhunë masive, pasi ekstremistët, shumë prej tyre të majtë, dolën në rrugë në të gjithë vendin", tha senatori Ted Cruz.

Por demokratët u kundërpërgjigjën, duke argumentuar se paligjshmëria që shoqëroi disa demonstrata për drejtësi racore… ishte e papërfillshme në krahasim me dhunën e supremacistëve të bardhë.

“Nuk është e barasvlefshme me përpjekjen e dhunshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, dhe as e barabartë me të sulmet që vënë në shënjestër komunitetet pakicë. Kjo ekuivalencë e rreme është një fyerje për oficerët e guximshëm të policisë që u plagosën apo humbën jetën më 6 janar", tha senatori demokrat Dick Durbin.

Në një seancë dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar, zyrtarët për sigurinë e Kongresit thanë se nuk kishin marrë paralajmërim më 5 janar nga FBI-ja për dhunë të mundshme. Zoti Wray nuk pranoi të spekulonte se si mund të ishin ndryshuar masat e sigurisë nëse ai paralajmërim do të ishte lexuar.

Negociatat për një komision që do të hetojë sulmet dhe do të rekomandojë masat paraprake të sigurisë kanë ngecur… ndërsa Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi kërkon që në atë komision të ketë më shumë demokratë sesa republikanë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat