Një vit nga fillimi i pandemisë në Shtetet e Bashkuara

Amerika

Një vit nga fillimi i pandemisë në Shtetet e Bashkuara

Më: 8 mars 2021 Në ora: 23:00
Ilustrim

Një vit më parë, qytetet në të gjithë Shtetet e Bashkuara filluan të mbyllen për shkak të pandemisë. Sipas Universitetit Johns Hopkins, i cili ndjek shpërthimin e virusit, që nga ajo kohë, më shumë se gjysmë milionë amerikanë kanë humbur jetën nga infeksioni ndërsa janë regjistruar gati 29 milionë raste. Vendi ka ndryshuar.

Paketa e ndihmës ekonomike prej 1.9 trilionë dollarësh e Presidentit Joe Biden po përparon, pas miratimit në Senat pa mbështetjen e republikanëve. Projekt-ligji tani shkon për miratim në Dhomën e Përfaqësuesve.

Një vaksinë e tretë, ajo e kompanisë Johnson & Johnson po shpërndahet në të gjithë vendin, pas asaj Pfizer-BioNTech dhe Moderna.

Por ka shqetësime se disa shtete, si Teksasi dhe Misisipi, po lëvizin më shpejt sa duhet për heqjen e maskave dhe hapjen e plotë të restoranteve, duke argumentuar se u takon njerëzve të marrin masa për t’u mbrojtur, jo qeverisë. Disa zyrtarë të shëndetit publik po ngrenë alarmin.

“Duke pasur parasysh se sa pranë fundit të pandemisë jemi, kushdo që infektohet sot dhe vdes brenda tre ose katër javësh, do ta kishte marrë vaksinën pas një muaji. Kjo është arsyeja përse është shumë e rëndësishme të vazhdojmë masat pak më gjatë”, thotë Dr. Ashish Jha në universitetin Brown.

Guvernatorët po vendosin objektiva para se të heqin urdhrat që kërkojnë mbajtjen e detyruar të maskave.

Ohajo do të heqë mbajtjen e maskave kur shteti të regjistrojë 50 raste për 100,000 banorë. Tani ka 179 raste, tha guvernatori Mike DeWine.

“Me vaksinën, po bëjmë përparime; kjo është arritje e madhe. Por në Ohajo, nuk mund të heqim dorë nga mbrojtja. Kemi parë se maskat funksionojnë jashtëzakonisht mirë”, tha guvernatori DeWine.

Një temë debati janë shkollat, të cilat po rihapen gradualisht me rreth 27% të nxënësve në mbarë vendin që zhvillojnë mësimin ende vetëm virtualisht. Ka një shtytje të madhe në shumë qytete për të vaksinuar mësuesit dhe personelin për të mundësuar kthimin e nxënësve në klasë.

Në Klivlend të Ohajos, sindikata e mësuesve votoi të vazhdojë mësimin në distancë, pavarësisht synimit të guvernatorit për të hapur shkollat më 1 mars. Guvernatori DeWine thotë se ai mbetet optimist.

“Në fillim të këtij viti, gjysma e fëmijëve në Ohajo mësonin virtualisht. Sot, 95 për qind e tyre janë në klasa. Pra jemi të kënaqur me përparimin e bërë”, tha guvernatori./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat