SHBA, studentët dhe shkollat ende përballen me pasojat e COVID-it

Amerika

SHBA, studentët dhe shkollat ende përballen me pasojat e COVID-it

Më: 9 mars 2021 Në ora: 19:31
Foto ilustrim

Ndërsa komunitetet në mbarë Shtetet e Bashkuara përballeshin me shifrat tronditëse të infektimeve nga koronavirusi marsin e kaluar, qindra universitete dhe kolegje mbyllën kampuset, duke sjellë çrregullime në jetën e profesorëve dhe studentëve.

“Mendoja gjithë kohës se nuk dija se ku do të shkoja. Ishte vërtet stresuese”, thotë Tae Ayodeji, studente nga Nigeria.

Studentët e ciklit të lartë, shumica nën moshën 29 vjeçare, janë ndër më pak të rrezikuarit nga sëmundja e rëndë që shkakton virusi, sipas të dhënave të CDC-së (Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve). Megjithatë, studiuesit në Kolegjin Imperial në Londër konstatuan se të rinjtë janë ndër përhapësit më të mëdhenj në komunitete dhe se përbëjnë rrezik për personat me sistem imunitar të dobësuar.

Në mungesë të një strategjie kombëtare se si duhet të reagojnë shkollat, institucionet arsimore patën përqasje të ndryshme dhe disa prej tyre ndryshuan kurs me kalimin e kohës. Fillimisht, ata i dërguan studentët në shtëpi. Në vazhdim i rikthyen, vetëm për t’i dërguar sërish në shtëpi.

“Ishte vërtet me hope, pasi shkollat po ndryshonin me shpejtësi”, thotë Frederick Lawrence, ish-President i Universitetit Brandeis, në Masaçusets.

Deri nga fundi i semestrit të pranverës, shumica e shkollave kishin përqafuar modelin online ose hibrid të mësimdhënies.

“Shkolla që kishin prezencë shumë të pakët online, po transformoheshin në institucione të arsimimit online. Po transferonin online qindra kurse, ndonjëherë mijëra”, thotë zoti Lawrence.

Por studentët u ankuan se mësimi virtual ofron një eksperiencë arsimore më të dobët, të mbizotëruar nga probleme teknike dhe me mungesë mbështetjeje dhe burimesh.

“Është irrituese pasi më duket sikur paguaj kaq shumë për të mësuar veten në YouTube”, thotë Precious Adetayo-Oguntade, studente e Universitetit të Merilendit.

Regjistrimet për semestrin e pranverës ranë. Shkollat humbën të ardhura.

“Në shumë drejtime u mungon kapaciteti për të mbledhur fonde, për të organizuar aktivitete të mëdha, për të zhvilluar ndjeshje futbolli dhe aktivitetet për mbledhjen e fondeve që i shoqërojnë”, thotë Lynn Pasquerella, Presidente e Shoqatës së Kolegjeve dhe Universiteteve Amerikane.

Në vjeshtë, shumë shkolla rihapën konviktet dhe rifilluan pjesërisht operacionet në kampus, por disa u detyruan të mbyllen sërish me shpejtësi, për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Megjithatë, disa nga studentët që u rikthyen thanë se jeta në kampus e justifikonte rrezikun. Për studenten ndërkombëtare Tae Ayodeji, 10 muaj mësimi në distancë nga Nigeria ishin vërtet të lodhshme.

“Ishte shumë e vështirë me ndryshimin e orës. Gjithashtu në Nigeri Wi-Fi nuk është shumë i mirë, kështu që kishte probleme teknologjike gjithë kohës”, thotë ajo.

Në shkollat që vazhduan të qëndrojnë të hapura, masat parandaluese janë bërë mënyrë jetese.

“Këtë mars kam një kosh me maska në dhomë dhe dizinfektant duarsh. Në shkollë duhet të testohemi dy herë në javë dhe duhet të plotësojmë formularë për monitorimin e COVID-it. Pra tani sikur u mësova”, thotë studentja Adetayo-Oguntade.

Me vaksinat e disponueshme dhe me më pak raste me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara, ekspertët parashikojnë rikthimin në vjeshtë tek një program disi normal mësimdhënieje. Kjo do të mirëpritet nga studentët që thonë se virusi u ka vjedhur nga eksperienca e tyre në kolegj.

“Ideja që të kesh mundësinë të jetosh në kampus, të kesh lidhje të mira me profesorët dhe një sens komuniteti që është shumë ndryshe nga ç’ofrojnë shkollat në Kolumbi. Tani duket sikur nuk ka ndonjë dallim”, thotë Isabela Linares, studente ndërkombëtare nga Kolumbia.

Ekziston një zhvillim pozitiv për studentët e ardhshëm. Disa kolegje dhe universitete kanë hequr detyrimin për testim, duke eliminuar kështu një ndër pengesat për regjistrimet e vitit të ardhshëm./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat