Blinken flet mbi përparësitë e politikës së jashtme

Amerika

Blinken flet mbi përparësitë e politikës së jashtme

Më: 11 mars 2021 Në ora: 20:17
Sekretari i Shtetit Antony Blinken

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha para një komisioni të Kongresit ai do të takohet me diplomatët kryesorë kinezë javën e ardhshme dhe do të diskutojë një mori çështjesh që shqetësojnë Shtetet e Bashkuara.

Sekretari Blinken parashtroi të mërkurën përparësitë kryesore të politikës së jashtme të administratës Biden përpara Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Njoftimi i tij se do të takohet për herë të parë me diplomatët më të lartë kinezë javën e ardhshme në Alaska gjatë kthimit nga një vizitë në Japoni dhe Korenë e Jugut u bë shkak për një numër pyetjesh nga ana e ligjvënësve. Zoti Blinken i siguroi ata se ai do të ngrejë një sërë shqetësimesh të SHBA dhe shtoi se ky do të jetë një takim i vetëm.

"Tani për tani nuk ka plane për ndonjë seri angazhimesh të mëtejshme. Këto angazhime, nëse do të vijojnë, do të bëhen nëse do të shohim përparim konkret dhe rezultate të prekshme në çështjet që na shqetësojnë me Kinën,” tha Sekretari i Shtetit.

Zoti Blinken ishte dakord me një numër ligjvënësish nga të dy palët se shtypja e ujgurëve myslimanë etnikë dhe pakicave të tjera në rajonin e Sinkiangut në Kinë, përbën gjenocid. Ai i bëri thirrje Pekinit të lejojë bashkësinë ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara ta shohin vetë situatën.

"Nëse ata nuk kanë asgjë për të fshehur, atëherë le të na e tregojnë, t’ia tregojnë botës," tha ai.

Disa ligjvënës republikanë ngritën pyetje për migrantët që përpiqen të kalojnë kufirin jugor të Amerikës me Meksikën dhe përse administrata Biden anuloi marrëveshjet e imigracionit të nënshkruara nga administrata Trump me vendet e Amerikës Qendrore.

“Kemi parë një rritje masive të numrit të migrantëve që hyjnë dhe që po shkaktojnë një krizë në kufirin tonë jugor. Pse presidenti i anuloi këto marrëveshje që ishin mbështetur nga fqinjët tanë jugorë?" pyeti republikani Michael McCaul.

Zoti Blinken nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por tha se Presidenti Joe Biden është i vendosur që SHBA të kenë një kufi të sigurt, të rregullt dhe human me Meksikën.

Ai u pyet gjithashtu për krizën humanitare në rajonin Tigray të Etiopisë dhe dënoi me forcë ato që ai i quajti "akte të spastrimit etnik".

“Kryeministri Abiy (Ahmed) ishte një udhëheqës frymëzues që fitoi Çmimin Nobel të Paqes. Tani ai duhet të marrë masa që njerëzit e tij në Tigray të kenë mbrojtjen e duhur dhe që meritojnë,” tha Sekretari Blinken.

Zoti Blinken tha se ai ka folur disa herë në telefon me Kryeministrin Abiy dhe udhëheqës të tjerë të rajonit për të gjetur një mënyrë që t’i jepet fund dhunës kundër civilëve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat