SHBA-ja tërheq disa diplomatë nga Mianmari

Amerika

SHBA-ja tërheq disa diplomatë nga Mianmari

Më: 31 mars 2021 Në ora: 08:28
Trazirat në Mianmar kanë shpërthyer që kur ushtria mori pushtetin më 1 shkurt 2021

Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar një pjesë të stafit diplomatik në Mianmar (Birmani) të largohen nga vendi. Ushtria e këtij vendi ka rritur dhunën ndaj protestuesve që kundërshtojnë grusht shtetin.

Departamenti i Shtetit përmes një deklarate njoftoi se vendimi për largimin e disa diplomatëve dhe familjeve të tyre është marrë "për shkak të COVID-19 si, trazirave civile dhe dhunës së armatosur”.

Mianmari po përballet me protesta që nga 1 shkurti kur ushtria bëri grusht shtet dhe rrëzoi nga pushteti udhëheqësen civile, Aung San Suu Kyi.

Protestuesit kërkojnë kthimin e një qeveria civile. Suu Kyi dhe liderët e tjerë të partisë së saj po mbahen në paraburgim.

Protestat kundër juntës janë shtypur me forcë, duke çuar në vdekjen e të paktën 500 njerëzve, sipas një organizate monitoruese.

Gjatë fundjavës, më shumë se 100 protestues u vranë në të gjithë vendin në ditën më të përgjakshme që kur ushtria mori pushtetin.

Dhuna e kryer nga junta është dënuar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera. Junta nuk është lëkundur pavarësisht kritikave ndërkombëtare dhe sanksioneve perëndimore.

Udhëheqësit e juntës pretendojnë se zgjedhjet e mbajtura në nëntor të vitit 2020 ishin të manipuluara. Zgjedhjet u fituan me shumicë dërrmuese nga partia e Suu Kyi./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat