Ligjvënësi republikan Gaetz nën hetime për dyshimet për trafik seksual

Amerika

Ligjvënësi republikan Gaetz nën hetime për dyshimet për trafik seksual

Më: 31 mars 2021 Në ora: 20:10
Matt Gaetz

Ligjvënësi republikan Matt Gaetz nga Florida, një zë i njohur konservator në Kongres si dhe aleat i ngushtë i ish-Presidentit Donald Trump tha të martën se ndaj tij janë hapur hetime nga Departamenti i Drejtësisë lidhur me një marrëdhënie të mëparshme intime, por ai këmbëngul se nuk kishte asgjë të parregullt në atë lidhje.

Zoti Gaetz, i cili përfaqëson një zonë elektorale të Floridas perëndimore, dyshohet se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë 17-vjeçare dhe e ka paguar atë ta shoqërojë në udhëtime. Ai është nën hetime për të vërtetuar nëse ka shkelur ligjet federale të trafikimit të personave për qëllime seksuale, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press një person që ka dijeni mbi rastin.

Hetimi është hapur thuajse një vit më parë dhe zoti Gaetz ka qenë në dijeni të këtij fakti prej disa muajsh, tha personi. Departamenti i Drejtësisë gjithashtu po analizon nëse 38-vjeçari Gaetz mund të ketë pasur marrëdhënie me vajza të tjera të mitura, tha personi.

Personi nuk mund të diskutonte publikisht detajet e një hetimi në vazhdim dhe foli me Associated Press me kusht që të mbetej anonim.

Zoti Gaetz i tha portalit mediatik Axios se avokatët e tij ishin informuar se ai ishte subjekt i një hetimi "që kishte të bënte me qëndrime seksuale ndaj grave”, por se ai nuk ishte në qendër të hetimit. Ai mohoi të ketë pasur ndonjëherë marrëdhënie me ndonjë vajzë të mitur dhe tha se akuzat kundër tij ishin "sa fyese, aq edhe të rreme".

Një subjekt hetimesh, sipas përkufizimit tradicional, është një person, veprimet e të cilit janë brenda fushës së një hetimi penal, ndërsa një person në qendër të hetimit është dikush për të cilin prokurorët kanë mbledhur prova që lidhen me një akt penal. Por gjatë hetimit, një subjekt mund të bëhet personi që është në qendër të hetimit.

Zoti Gaetz i bëri komentet menjëherë pasi gazeta New York Times raportoi për herë të parë mbi hetimin. Është krim federal të transportosh një të mitur nga një shtet amerikan në tjetrin për seks.

Zoti Gaetz tha se akuzat ishin pjesë e një komploti për presion nga një ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë që donte të zhvaste para prej tij.

"Gjatë disa javëve të fundit, unë dhe familja ime kemi qenë viktima të një zhvatjeje të organizuar kriminale që përfshin një ish-zyrtar të Departamentit të Drejtësisë që kërkon 25 milionë dollarë ndërsa kërcënon të njollosë emrin tim," tha Gaetz në një deklaratë.

Gaetz tha se familja e tij po bashkëpunon me FBI-në dhe tha se babai i tij kishte vënë një pajisje të fshehtë regjistrimi, në bazë të udhëzimeve të FBI-së, "për të kapur këta kriminelë". Ai i kërkoi Departamentit të Drejtësisë të publikojë regjistrimet.

"Asnjë element i akuzave kundër meje nuk është i vërtetë dhe njerëzit që përhapin këto gënjeshtra janë shënjestra të hetimit të vazhdueshëm të zhvatjes," tha ai.

Gazeta Times citoi tre persona me dijeni mbi këtë çështje, duke thënë se çështja kundër zotit Gaetz ishte pjesë e një hetimi më të gjerë të Departamentit të Drejtësisë ndaj një prej aleatëve politikë të ligjvënësit republikan, politikanit tjetër nga Florida, Joel Greenberg, i cili u akuzua verën e kaluar për trafik seksi dhe akuza të tjera se ai gjurmonte fshehurazi një kundërshtar politik. Një gjykatës urdhëroi zotin Greenberg të kthehej në burg në fillim të këtij muaji për shkeljen e kushteve të lirimit të tij.

"Unë besoj se ka njerëz në Departamentin e Drejtësisë që po përpiqen të kriminalizojnë sjelljen time seksuale gjatë periudhës kur isha beqar,” i tha portalit Axios zoti Gaetz.

"Pa diskutim, gjatë ditëve të beqarisë kam mbuluar shpenzimet për vajzat me të cilat shoqërohesha, u kam paguar biletat e avionit, dhomat e hotelit. Isha partner bujar. Mendoj se disa po përpiqen ta portretizojnë këtë si akt kriminal, por nuk është ashtu,” tha zoti Gaetz.

Zoti Gaetz nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale. Departamenti i Drejtësisë nuk iu përgjigj kërkesës për komente nga Associated Press./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat