A është Nju Jorku djepi i kulturës së kafesë?

Amerika

A është Nju Jorku djepi i kulturës së kafesë?

Më: 15 prill 2021 Në ora: 20:01
Nju Jorku

Kur amerikanët mendojnë për kulturën e kafesë, atyre u kujtohet zakonisht qyteti Siatëll, ku u themelua kompania Starbucks. Por, disa thonë se qyteti i Nju Jorkut mund të jetë një pretendent më i mirë, si epiqendër e kulturës së kafesë në Shtetet e Bashkuara.

Si në çdo metropol të madh, mëngjeset në qytetin e Nju Jorkut fillojnë me kafenë.

Shitësit e ushqimeve me kamionë shfaqen në mot me shi dhe me diell. Gjithnjë të mirëpritur nga njujorkezët e zënë me punë. Me 2 dollarë mund të blini vaktin e mëngjesit.

Një tjetër destinacion popullor janë të ashtuquajturat "deli". Zakonisht janë dyqane të vogla ku mund të gjesh gjithçka, deri tek ushqimet e ngrohta dhe kafenë që detyrimisht i shoqëron.

"Kemi shumë njerëz të famshëm që vijnë këtu... Klientë si Sylvester Stallone, Howard Stern. Megjithëse, ai nuk pi kafe", thotë Spiro Athanasatos, i dyqanit "Prestige Deli".

Kafeja mbërriti në Nju Jork në fillimet e viteve 1600, kur qyteti quhej në atë kohë nga themeluesit e tij hollandezë Amsterdami i Ri.

"Qyteti i Nju Jorkut ishte vërtet kryeqyteti i kafesë në Amerikën e Veriut. Kultura e kafesë ishte shumë e veçantë, pasi ishte një koloni hollandeze", thotë John Moore, nga kompania e kafesë "Vassilaros & Sons".

Në vitet 1800, dyqanet filluan të shisnin filxhanë me kafe të nxehtë për pak qindarka, të shoqëruar me lajme dhe thashetheme falas.

Kur u futën në treg kupat prej letre, atëherë kafeja që merret me vete u bë pjesë e rutinës së mëngjesit.

"Ofrojmë një filxhan kafeje të freskët të sapopjekur çdo ditë, prej 100 vjetësh!", thotë Alexandra Vassilaros, e kompanisë së kafesë "Vassilaros & Sons".

Alexandra Vassilaros është pronare e një perandorie të kafesë. Prej tre brezash, kompania e saj u ka dhënë njujorkezëve atë që u nevojitet më shumë në mëngjes.

Që nga vitet 1960, shumë pronarë kafenesh në Nju Jork kanë qenë emigrantë nga Greqia. Nuk është aksidentale që një nga simbolet më të njohura në kupat e kafesë është një amforë.

Apo taksitë e verdha që u bënë simboli i kafesë që merret me vete.

Por në vazhdim hyri në skenë kompania Starbucks.

"Starbucks ka bërë një punë shumë të mirë për të krijuar profilin e kafesë së pjekur, shumë më të errët se kafetë e tjera. Për shumë vite, kjo ishte pika e vetme për të cilën shquheshin. Kishin lloje kafeje cilësore, të cilat i piqnin fort dhe për të cilat konsumatorët filluan të mësohen t'i vlerësojnë", thotë zoti Moore.

Për ata njujorkezë që preferojnë të gjerbin kafenë e tyre me më pak nxitim, ekziston Kafe Reggio. Muret janë të dekoruara me piktura të stilit Karavaxho. Bankinat janë të dekoruara me simbolet e familjes Medici. Makineria e tyre e kafesë është më e vjetra në Nju Jork.

"Në këtë kohë do të ishte plot, brenda dhe jashtë. Por, nuk ka më turistë", thotë Fabrizio Cavallacci, pronar i Caffe Reggio.

Pronari Cavallacci ka qenë aty për 50 vitet e fundit, dhe po kështu edhe prindërit e tij nga të cilët e trashëgoi kafenenë. Kafeja ende përgatitet bazuar në formulat tradicionale italiane.

Caffe Reggio ka tërhequr gjithnjë klasën boheme të Nju Jorkut.

"Është mirë të ulesh, të pish një kafe dhe të mendosh se po qëndron me Bob Dylan apo Kerouac. Apo me ndonjë nga poetët e mëdhenj që ka ardhur, është ulur dhe ka shkruar në tavolinat e këtushme", thotë poeti Harris Heiman.

Qoftë në një mjedis klasik, apo duke kaluar me nxitim nga një "deli", kupa e kafesë mbetet një pjesë integrale e jetës së qytetit të Nju Jorkut./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat