SHBA, rriten çmimet e produkteve bujqësore

Amerika

SHBA, rriten çmimet e produkteve bujqësore

Më: 18 prill 2021 Në ora: 19:32
Fermeri nga Illinoi, Reid Thomson

Pas vitesh pasigurie dhe me vështirësi ekonomike të shkaktuara nga moti i paqëndrueshëm dhe mosmarrëveshjet tregtare, çmimet e produkteve të grurit po lulëzojnë. Zëri i Amerikës sjell mendimet e fermerëve në Illinoi të cilët thonë se ky lajm sjell shpresë dhe shqetësime.

Fermeri nga Illinoi, Reid Thomson, mori përsipër fermën e familjes më 2019, mes thellimit të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve kryesorë tregtarë, në një kohë kur kërkesa dhe fitimet nga gruri e soja, pësuan rënie.

“Angazhimi im si fermer ishte mjaft stresues”, tha ai.

Për të ulur ngarkesën, Departamenti amerikan I Bujqësisë për vite me radhë dërgoi ndihma direkte prej dhjetëra miliarda dollarësh për fermerët.

Kjo i ndihmoi ata t’u mbijetojnë jo vetëm trazirave tregtare, por edhe pandemisë së koronavirusit, duke i ndihmuar t’i kthehen fermës për mbjellje.

Ndërsa fermeri punon tokën pjellore, çmimet për prodhimet e tij po arrijnë kulmin e dekadës, një ndryshim shumë i madh krahasuar me një vit më parë.

“Do të thoja 30 deri 50 për qind më e lartë sesa që ishte para 12 muajsh. Për herë të parë ndër vite fermerët mund të përfitojnë pa paratë e qeverisë“, tha zoti Thompson.

Paratë e qeverisë e ndihmuan zotin Thompson të kompensonte humbjet e shkaktuara nga tarifat e administratës Trump për çelikun dhe aluminin kinez. Si kundërpërgjigje, tregu më i madh i sojës, Kina, goditi eksportin e drithërave amerikane dhe produkteve tjera.

“Ato politika që sollën tarifa dhe hakmarrje nuk ishin shumë të dobishme, por mendoj se dolëm nga ajo situatë dhe po fillojmë të shohim fitime. Shpresojmë ta ruajmë këtë moment”, tha Adam Nielsen, nga byroja e fermave në Illinoi.

Adam Nielsen është drejtor legjistlativ kombëtar për Byronë e Fermave të Illinoit. Ai punon me anëtarët e Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë për të mbrojtur politikat që ndihmojnë bujqësinë amerikane.

“Sa i përket zgjerimit të tregtisë, ne nuk na intereson kush është në Shtëpinë e Bardhë, kjo është përparësia jonë“, tha ai.

Zoti Nielsen vlerëson marrëveshjen e quajtur “Faza Një“ të administratës Trump me Kinën dhe marrëveshjen tregtare ShBA-Kanada-Meksikë, për rritjen e kërkesës dhe çmimit të këtij viti. Ai thotë se ligjvënësit duhet të përcaktojnë synimet për marrëveshjet e reja tregtare.

“Ka vende dhe rajone që hyjnë për herë të parë në klasën e mesme. Afrika nën-Sahariane për shembull. Ato janë tregje me rritje të mundshme për eksportet bujqësore amerikane”, tha zoti Nielsen.

“Me ardhjen e zotit Biden, ka mundësi për arritjen e marrëveshjes me Britaninë e Madhe, Korenë e Jugut, Japoninë dhe të tjerë. Ky është fillimi i shumë marrëveshjeve tregtare”, shton fermeri Thopmson.

Zoti Thompson thotë se kishte mundësi të shiste me çmimet e sotshme të larta disa produkte nga korrjet e vitit të kaluar, por menaxheri rajonal i rrjetit të kredive për fermat thotë se shumë kultivues nuk patën mundësi.

“Sot çmimet janë të larta, por ndoshta s’ke çfarë shet me këtë çmim”, tha Caleb May.

Fermeri Thompson thotë se çmimet e larta nuk sjellin vetëm dobi.

“Me rritjen e çmimeve të mallrave tona, rritet gjithçka tjetër”, thotë ai.

Ai pret që shpenzimet në fermën e tij të rriten me 15 për qind këtë vit.

Por a do të jetë fermeri në një pozitë më të mirë sesa vitin e shkuar? Përgjigja për këtë pyetje është e paqartë sikur edhe parashikimet afatgjata të motit./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat