TikTok, WeChat: Biden shfuqizon vendimin e Trumpit, urdhëron proces të ri rishikimi

Amerika

TikTok, WeChat: Biden shfuqizon vendimin e Trumpit, urdhëron proces të ri rishikimi

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 22:13
Foto ilustrim

Presidenti Joe Biden revokoi të mërkurën një seri urdhrash ekzekutivë të administratës Trump të cilat udhëzonin ndalimin e shkarkimeve të reja të aplikacioneve si WeChat dhe TikTok. Ndërkohë zoti Biden urdhëroi Departamentin e Tregtisë të rishikojë shqetësimet lidhur me sigurinë që paraqesin këto e të tjera aplikacione.

Administrata e ish-Presidentit Donald Trump u përpoq të bllokojë përdoruesit e rinj që të shkarkonin këto aplikacione si dhe të ndalonte transaksionet teknike nga ana e tyre, një masë që sipas pronarëve kineze të TikTok-ut dhe WeChat-it, do të bllokonte në mënyrë efektive përdorimin e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Por gjykatat i bllokuan urdhrat të cilat nuk hynë kurrë në fuqi.

Administrata e zotit Trump pretendonte se WeChat dhe TikTok paraqisnin shqetësime mbi sigurinë kombëtare sepse të dhëna personale të ndjeshme të përdoruesve amerikanë mund të mblidheshin nga qeveria kineze.

Si TikTok-u, i cili ka mbi 100 milionë përdorues në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe WeChat-i i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Një proces rishikimi i veçantë ndaj TikTok-ut lidhur me çështje të sigurisë kombëtare në SHBA, i filluar në fund të vitit 2019, vazhdon të jetë ende aktiv, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, por pa dhënë më shumë detaje. Një tjetër zyrtar i administratës tha se Shtëpia e Bardhë mbetet shumë e shqetësuar mbi rrezikun që paraqet TikTok-u ndaj të dhënave të përdoruesve.

Urdhri i zotit Biden udhëzon Departamentin e Tregtisë të monitorojë programet e këtyre aplikacioneve mbi ndikimin potencial të tyre në sigurinë kombëtare të SHBA-së si dhe që brenda 120 ditëve të bëjë rekomandime për të mbrojtur të dhënat që shtetasve amerikanë, tek të cilat kanë qasje kompanitë e kontrolluara nga kundërshtarët e huaj.

TikTok-u nuk pranoi të komentojë rreth këtij udhëzimi sikurse edhe WeChat./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat