Hetimi amerikan për origjinën e koronavirusit

Amerika

Hetimi amerikan për origjinën e koronavirusit

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 07:55
Pamje e një punëtori në një laborator.

Fillimisht e hedhur poshtë nga ekspertë për kujdes shëndetësor dhe zyrtarë qeveritarë, hipoteza se koronavirusi ka dalë aksidentalisht nga një laborator kinez, tani po merr vëmendje të re nga autoritetet amerikane.

Ekspertët kanë thënë se hetimi 90-ditor, i kërkuar më 26 maj nga presidenti amerikan Joe Biden, do të shtyjë agjencitë e inteligjencës në Shtetet e Bashkuara që të mbledhin më shumë të dhëna dhe të analizojnë ato që veçse kanë.

Ish-zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, kanë bërë thirrje publike për hetime shtesë, ashtu sikurse shkencëtarë tjerë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Shumë shkencëtarë, përfshirë mjekun Anthony Fauci, kanë thënë se ende besojnë se virusi vjen nga natyra dhe është bartur nga kafshët te njerëzit. Hulumtuesit e virusit nuk kanë identifikuar publikisht ndonjë të dhënë të re shkencore që mund ta bëjë më të mundshme hipotezën për rrjedhje të koronavirusit nga laboratori.

Virologët kanë thënë po ashtu se ka pak mundësi që ndonjë përgjigje përfundimtare për origjinën e koronavirusit të bëhet publike në 90 ditë.

Puna për konfirmim të plotë të origjinës së viruseve në të kaluarën – siç kanë qenë SARS apo HIV/AIDS – kanë marrë vite apo dekada.

Çfarë janë duke analizuar agjencitë e inteligjencës?

Biden ka urdhëruar rishikim të atyre që Shtëpia e Bardhë i ka konsideruar “dy skenarë të mundshëm”, të bartjes së virusit nga kafshët te njeriu apo rrjedhja nga laboratori.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë është thënë se dy agjenci në komunitetin e inteligjencës - prej 18 të tillave - anojnë nga hipoteza për bartje të virusit nga natyra.

Një dokument që ka fituar vëmendje të re është nga Departamenti amerikan i Shtetit, i publikuar në ditët e fundit të administratës Trump. Në të theksohet se Shtetet e Bashkuara besojnë që tre hulumtues në Vuhan të Kinës kanë kërkuar trajtim mjekësor për sëmundje të frymëmarrjes në nëntor të vitit 2019.

Megjithatë raporti nuk është përfundimtar: origjina dhe shkalla e sëmurjes së stafit nuk dihet – dhe shumë njerëz në Kinë shkojnë vazhdimisht në spitale, jo për urgjenca, por për kontrolle rutinore.

Në dokument po ashtu theksohet se eksperimentet për ndryshim të viruseve dhe sëmundjeve – çka potencialisht mund të nxisin vdekje apo përhapje – janë bërë në një laborator në Vuhan me mbështetjen amerikane.

Megjithatë, drejtori i Instituteve Kombëtare të Shëndetit, Franic Collins ka mohuar se ka pasur mbështetje amerikane në eksperimente të tilla në koronaviruse në Vuhan.

David Feith, i cili ka shërbyer si zëvendës-ndihmës i Sekretarit të Shtetit për Azinë Lindore dhe Çështjet në Paqësor gjatë administratës Trump, ka thënë se ka mbështetur thirrjen e Bidenit për rishikim tjetër.

“Në deklaratën e presidentit është nënkuptuar se ka më shumë për të analizuar dhe më shumë të dhëna për t’u mbledhur”, ka thënë Feith.

Mirëpo shefi i Inteligjencës Kombëtare ka mohuar të komentojë në këtë çështje, transmeton agjencia e lajmeve Associated Press.

Pse po i pengon Kina hetimet?

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, Kina është kritikuar për mungesë të transparencës.

“Dështimi për të dërguar inspektorët në teren në muajt e parë do të pengojë gjithmonë hetimet për origjinë të koronavirusit”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Kina është raportuar se ka detyruar disa gazetarë të largohen nga shteti në vitet e fundit dhe ka heshtur apo burgosur informatorët nga Vuhani dhe vendet tjera.

Mungesa e transparencës në Kinë është shumë e rëndësishme dhe sfidë tashmë e ditur. Mirëpo kjo gjë në realitet nuk tregon se diçka është duke u fshehur.

“Problemi qëndron në atë se kur ju bëni ndonjë njoftim (sikur thirrja e Bidenit për hetime) në një ambient tejet politik, kjo gjë e bën më pak të mundshëm bashkëpunimin nga ana e Kinës, në drejtim të gjetjes së origjinës së virusit”, ka thënë Yanzhong Huang, hulumtues i lartë për shëndet global në Këshillin për Marrëdhënie të Huaja.

Çfarë besojnë shkencëtarët sa i përket origjinës së virusit?

Argumenti më bindës për hetim të mundësisë së daljes së virusit nga laboratori, nuk bazohet në ndonjë të dhënë të re, por në faktin që mundësitë tjera të qarkullimit të virusit nuk janë të konfirmuara 100 për qind.

“Mundësia më e madhe ende është ajo se virusi ka dalë nga gjallesat e egra”, ka thënë Arinjay Banerjee, virolog në Organizatën për Vaksina dhe Sëmundje Infektive në Saskatchewan, Kanada.

Ai ka thënë se janë të zakonshme rastet kur virusi bartet nga kafshët në njerëz dhe se shkencëtarët tashmë kanë njohuri për dy koronaviruse të ngjashme që janë zhvilluar në lakuriqë dhe kanë shkaktuar epidemi kur njerëzit janë infektuar: SARS1 dhe MERS.

Megjithatë, rasti nuk është plotësisht i mbyllur.

“Ka mundësi e mundësi. Meqë askush nuk e ka identifikuar një virus në kafshë, që është 100 për qind identik me koronavirusin e ri, ende ka hapësirë për kërkime dhe për gjetje të mundësive tjera”.

Sa gjatë zgjat procesi i konfirmimit të origjinës së virusit?

Konfirmimi me 100 për qind siguri për origjinën e koronavirusit, nuk është proces i shpejtë, i lehtë dhe gjithmonë i mundshëm.

Shembull, shkencëtarët nuk e kanë konfirmuar kurrë origjinën e lisë, para se sëmundja të çrrënjosej përmes një programi global të vaksinimit.

Në rastet e sëmundjeve SARS, një prej të cilave shkaktohet edhe nga koronavirusi i ri, shkencëtarët kanë identifikuar viruse të tilla në shkurt të vitit 2013.

Më vonë gjatë vitit, shkencëtarët kanë zbuluar çka mund të ketë ndërmjetësuar sëmundjen: macet e llojit civet janë gjetur në tregjet e kafshëve në tregjet në Guangdong, Kinë.

Mirëpo deri më 2017, hulumtuesit nuk kanë gjetur burimin origjinal të këtij virusi në shpellat e lakuriqëve në provincën Yunnan të Kinës.

Sa e rëndësishme është që ta kuptojmë origjinën?

Nga perspektiva shkencore, hulumtuesit kanë gjithmonë dëshirë që të kuptojnë më shumë si zhvillohen sëmundjet. Nga perspektiva e shëndetit publik, nëse një virus kalon lehtësisht nga njeriu në njeri, zbulimi i origjinës nuk është thelbësor për hartim të strategjive për ndalje të sëmundjes.

“Pyetjet për origjinë dhe kontrollim të sëmundjes nuk përbëjnë të njëjtën gjë kur përhapja nga njeriu në njeri bëhet gjë e shpeshtë”, ka thënë Deborah Seligsohn, eksperte për shëndetin publik dhe atë të ambientit në Universitetin Villanova.

Republikanët kanë shtyrë përpara idenë për më shumë hetime të idesë se virusi ka dalë nga laboratori dhe fajësim të Kinës.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara gati 600,000 persona kanë vdekur me koronavirus, njëherësh numri më i lartë i viktimave në krahasim me shtetet tjera.

Çfarë ndodh pas 90 ditëve?

Shumë shkencëtarë besojnë se nuk ka mundësi që një hetim 90-ditor të japë përgjigje përfundimtare.

“Rrallë ndodh një gjë e tillë”, ka thënë Stephen Morse, hulumtues sëmundjesh në Universitetin Columbia.

“Edhe në rrethanat më të mira, rrallë ndodh të kemi aq shumë siguri”.

Çfarëdo gjetjeje ka mundësi të jetë politikisht shpërthyese, sidomos nëse do të ketë të dhëna që mbështesin apo hedhin poshtë ndonjërën teori.

Dhe dështimi për të arritur në përfundime, çka mund të jetë i pashmangshëm pas 90 ditëve, do të mund të forcojë teoritë konspirative.

Ndërkohë ekspertët si Huang nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, dyshojnë se Kina mund të izolohet edhe më shumë, çka potencialisht mund të komplikojë marrëdhëniet veçse të tensionuara me Shtetet e Bashkuara.

“Kjo gjë ka mundësi të bëjë edhe më sfiduese dhënin e lejes për një tjetër ekip që ta vizitojë Vuhanin, apo qasjen e pakufizuar në hetime atje”, ka thënë ai./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat