Plani amerikan për dhurimin e vaksinave pritet me entuziazëm dhe hezitim

Amerika

Plani amerikan për dhurimin e vaksinave pritet me entuziazëm dhe hezitim

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 18:26
Foto ilustrim

KEJP TAUN, Afrika e Jugut (AP) - Zyrtarët dhe ekspertët shëndetësorë në të gjithë botën përshëndetën planin e Shteteve të Bashkuara për të dhuruar 500 milionë vaksina COVID-19 për vendet në zhvillim. Por lajmi u prit edhe me një farë hezitimi.

Për shembull, shtrohet pyetja - kur do të arrijnë saktësisht këto vaksina në rajonet e mbetura pas në luftën globale kundër pandemisë dhe që po përballen tani me valë të reja vdekjeprurëse të virusit? Dhe sa vende të tjera të pasura do të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara për të plotësuar nevojat për vaksina?

Premtimi i administratës Biden për të blerë dhe dhënë falas vaksinat Pfizer ishte "qartësisht një lajm për t’u shënuar", tha Dr. John Nkengasong, drejtori Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve për Afrikën, veçanërisht në një kohë kur infeksionet e virusit janë rritur në mënyrë agresive në kontinent, dhe kur ka vende që ende nuk kanë administruar një dozë të vetme. "Sigurisht, do të jetë një ndihmë e madhe," tha zoti Nkengasong, megjithëse shtoi se priste të mësonte kohën e saktë se kur këto vaksina do të nisen drejt kontinentit.

Dyqind milionë doza, që do të jenë të mjaftueshme për të vaksinuar plotësisht 100 milionë njerëz, do të sigurohen këtë vit, njoftoi Shtëpia e Bardhë, me pjesën tjetër të vaksinave që pritet të arrijnë në gjysmën e parë të vitit 2022. Shtetet e Bashkuara do të punojë me programin COVAX të mbështetur nga OKB-ja për të shpërndarë vaksinat. Disa ekspertë kanë nënvizuar faktin se meqenëse vaksinat Pfizer kërkojnë magazinim në temperature jashtëzakonisht të ulta, ato paraqesin një sfidë logjistike shtesë për vendet me sisteme shëndetësore në vështirësi dhe infrastrukturë të dobët.

Presidenti Joe Biden pritet të flasë rreth këtij plani të enjten më vonë gjatë një fjalim në prag të samitit të G-7ës në Britani.

Ky samit mund të jetë gjithashtu një tregues nëse dhe sa vende të tjera në klubin elitar botëror janë të gatshëm të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara për të dhuruar vaksina mes kritikave të shumta se vendet e pasura nuk kanë bërë sa duhet, megjithë premtimet e shumta për barazi para se të dilnin vaksinat.

Kryeministri britanik Boris Johnson shkroi në gazetën The Times të Londrës se ka ardhur koha që vendet e pasura të "mbajnë përgjegjësitë e tyre" dhe "të vaksinojnë botën", megjithëse vendi i tij ende nuk ka njoftuar ndonjë plan për të ndarë vaksinat me vendet në nevojë.

Franca ka përsëritur vazhdimisht rëndësinë e ndihmës me vaksina për Afrikën në veçanti, që nga viti i kaluar dhe Presidenti Emmanuel Macron tha se ai mori me vete 100,000 doza vaksinash në një udhëtim në Ruanda muajin e kaluar. Presidenti Macron ka premtuar se Franca do të dhurojë 30 milionë doza përmes programit COVAX deri në fund të vitit, 500 mijë deri nga mesi i qershorit.

Premtimet nga vendet e pasura, disa prej të cilëve kanë vaksina të tepërta, shpesh janë kritikuar si të pamjaftueshme ose tepër të vonuara. Ndërsa vendet në mbarë botën janë përpjekur të sigurojnë vaksina, në pamundësi për të arritur marrëveshje me kompani si Pfizer, shumë i janë drejtuar Kinës e cila, sipas Ministrisë së saj të Jashtme, ka eksportuar 350 milionë doza të vaksinave në dhjetëra vende.

Ndërsa vaksinat kineze janë përballur me kritika për shkak të mungesës së transparencës në ndarjen e të dhënave nga provat klinike, shumë vende i mirëpritën ato.

Kina, e cila ka qenë në garë me Shtetet e Bashkuara në fushën e "diplomacisë së vaksinave", reagoi ndaj planit amerikan përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin, i cili tha se Kina gjithmonë ka mbështetur përdorimin e vaksinave si një "e mirë publike globale".

Vaksinat e premtuara nga administrata Biden do të shkojnë në 92 vende me të ardhura të ulëta dhe të Bashkimit Afrikan. Kompania Pfizer tha se dozat janë pjesë e një premtimi të mëparshëm, me partnerin e saj BioNTech, për të siguruar 2 miliardë doza për vendet në zhvillim gjatë 18 muajve të ardhshëm.

Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar më herët planet për të ndarë 80 milionë doza të vaksinave deri në fund të qershorit, shumica përmes programit COVAX.

Disa ekspertë thanë se vetëm donacionet nuk do të ishin të mjaftueshme për të plotësuar hendekun e madh në furnizime dhe bënë thirrje për lejimin e kompanive të kualifikuara në të gjithë botën për të prodhuar vaksina pa kufizime të pronës intelektuale.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetjen për pezullimin e mbrojtjes së pronës intelektuale për vaksinat – por ndryshe nga vendet e tjera të G-7ës, Gjermania përsëriti kundërshtimin e saj ndaj heqjes dorë nga kjo./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat