Zgjedhjet paraprake për kryebashkiak të Nju Jorkut

Amerika

Zgjedhjet paraprake për kryebashkiak të Nju Jorkut

Më: 21 qershor 2021 Në ora: 20:15
Një banor i Nju Jorkut duke marrë pjesë në votimin e hershëm për zgjedhjen e kryebashkiakut (18 qershor 2021)

Të martën, votuesit do të votojnë në zgjedhjet paraprake për kryetarin e ardhshëm të bashkisë së Nju Jorkut. Disa ekspertë e quajnë qytetin më të madh të vendit dhe kryeqytetin e tij financiar një sinjalizues të garave politike në vend, megjithë prirjen e fortë liberale të tij. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi sjellë hollësitë.

Në një debat të fundit midis tetë pretendentëve kryesorë demokratë për kryebashkiak të qytetit të Nju Jorkut, kandidatët kryesorë Andrew Yang dhe presidenti i zonës së Bruklinit Eric Adams sulmuan ashpër njëri-tjetrin.

"Ne të gjithë e dimë që ju jeni hetuar për korrupsion kudo që keni shkuar, në çdo qytet, shtet, madje edhe Departamenti i Drejtësisë gjatë mandatit të Barack Obamës ka bërë hetim ndaj teje. Ju keni arritur treshen e rrallë të hetimeve të korrupsionit", tha kandidati Andrew Yang.

Rivali i tij Adams mohoi akuzat dhe vuri në dyshim angazhimin e zotit Yang ndaj Nju Jorkut.

“Ju nuk votoni fare në zgjedhjet komunale. Thjesht nuk e di se si jeni bërë kandidat për kryebashkiak, duke marrë parasysh historinë tuaj? Si do ta qeverisni një qytet të larmishëm si ky? Thjesht nuk mund ta kuptoj”, tha kandidati Eric Adams.

Jashtë sallës së debatit dhe larg grindjeve politike, banorët e Nju Jorkut folën me Zërin e Amerikës për çështjet që janë të rëndësishme për ta.

“Situata e mbeturinave. Në qytet nuk ka mbledhje të rregullt të mbeturinave nga bashkia", thotë votuesja Iman Abdulfattah.

“Reforma në polici. Unë njoh shumë moshatarë që mbështesin shpërbërjen e policisë. Jo shumë kandidatë janë në favor të kësaj”, thotë votuesja Rebecca Victor.

"Drejtësi ekonomike do të thotë t'u japësh shans njerëzve të varfër", thotë votuesi Bill Whitaker.

"Padyshim që arsimi është përparësi për mua si mësues dhe prind", thotë Chad Cinquegrana.

"Më intereson cilësia e jetës në Nju Jork, dhe kjo përfshin eliminimin e zhurmës së panevojshme", thotë votuesja Carol Robbins.

Profesori i Universitetit të Nju Jorkut, David Elcott thotë se kjo garë nuk ka të bëjë me një çështje të vetme. Por me një luftë për pushtet midis demokratëve tradicionalë dhe progresistëve që duan një ritëm më të shpejtë ndryshimi.

"Ne nuk kemi shqyrtuar shumë anën e demokratëve, ku kemi një shqetësim të barabartë midis atyre që përpiqen të mbështesin institucionet, të ndryshojnë institucionet dhe atyre me një qajse më radikale që thonë se ka probleme strukturore, korrupsion dhe sistemi është i njollosur dhe duhet të rrëzohet", thotë ai.

Në këtë cikël zgjedhor, qytetit i Nju Jorkut po përdor atë që quhet votim me zgjedhje të renditur. Në vend që të zgjedhin një kandidat, votuesit mund të radhisin kandidatët e tyre të preferuar. Profesorja e Universitetit të Kolumbias, Ester Fuchs thotë se kjo ndryshon gjithçka në lidhje me këto zgjedhje.

“Askush nuk mund ta parashikojë rezultatin e kësaj gare. Njerëzit me të vërtetë nuk e dinë se kush do të fitojë dhe sondazhet nuk kanë qenë shumë efektive për të përcaktuar fituesin. Megjithatë, ato kanë treguar se kush mund të jenë pesë kandidatët kryesorë", thotë ajo.

Qyteti i Nju Jorkut konsiderohet si një bastion i liberalëve, por profesorja Fuchs thotë se çështjet që kanë rëndësi këtu janë të rëndësishme për çdo qytet në Shtetet e Bashkuara. Nga ky këndvështrim, thotë ajo, mënyra se si votojnë banorët e Nju Jorkut për çështjet si siguria dhe reforma në polici mund të jetë një sinjal për mënyrën se si do të shkojnë zgjedhjet e ardhshme në të gjithë vendin. Pas zgjedhjeve paraprake të së martës, zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në nëntor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat